Banka Botërore:Keni nevojë për reforma
Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore është institucioni i dytë ndërkombëtar që paralajmëron për një ngadalësim të rritjes ekonomike gjatë këtij viti, për shkak të mbarimit të projekteve të gazsjellësit TAP dhe HEC-it të Devollit.
“Ritmet e rritjes pritet të ngadalësohen në vitin 2018 për shkak të përfundimit të dy projekteve të mëdha energjetike të financuara nga Investimet e Huaja Direkte”, tha Banka gjatë prezantimit të Raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor.
Në vijim, Shqipëria pritet të rritet me 3.6-3.5%, nga gati 4% që arriti zgjerimi në vitin 2017.
Perspektiva ekonomike është pozitive, por banka paralajmëron se rritja e qëndrueshme ekonomike ka nevojë për reforma strukturore.
Banka vlerëson se për 2017-n, ecuria përshpejtoi ritmet e rritjes. “Rritja ekonomike u forcua në vitin 2017 dhe mbështeti krijimin e vendeve të punës dhe uljen e varfërisë”. Në përshpejtimin e ekonomisë ndikuan investimet, konsumi më i lartë dhe mjedisi i jashtëm favorizues.
Me rritjen e kërkesës në Eurozonë, eksportet përfituan nga rritja e çmimeve të lëndëve të para dhe zgjerimi i shërbimeve të lidhura me turizmin dhe industrinë përpunuese.
Sektori i shërbimeve dha kontributin më të madh në hapjen e vendeve të reja të punës, ndërkohë që flukset e qëndrueshme hyrëse të IHD-ve, ndihmuan në financimin e deficiteve të jashtme.
Politika fiskale ka pasur si qëllim reduktimin e borxhit publik. Megjithatë, banka vlerëson se konsolidimi fiskal ka qenë më i ulët sesa pritej, si pasojë e përballimit të krizës së thatësirës që vendi kaloi në vitin 2017, që çoi në importe të rritura të energjisë.
Perspektiva për rritjen ekonomike duket pozitive, por jo e qartë. Duhen marrë një sërë reformash, rekomandon banka.
Vendi mund të përballet edhe me rreziqe të jashtme, si kërcënimet për luftëra tregtare dhe rënie e besimit, si dhe anulimi i stimulit monetar në BE. Mundësi pozitive nga jashtë janë rritja ekonomike e mbështetur nga investimet e BE, rritja e fortë në flukset e tregtisë ndërkombëtare, si dhe kushtet favorizuese të financimit me norma relativisht të ulëta interesi.
Lidhur me projektet e partneritetit publik privat, përfaqësuesja e Bankës Botërore pohoi se jo të gjitha kanë rezultuar të suksesshme. Ajo e vuri theksin në transparencën për këto projekte. “Duhet të fuqizohet mënyra si vlerësohen PPP. Ministria e Financave të luajë rol me rëndësi për të menaxhuar PPP”
Për tarifimin e Rrugës së Kombit, ajo u shpreh se kjo ishte e nevojshme, por duhet të merren parasysh banorët e zonës në mënyrë që për ta të ketë lehtësi./monitor