SHBA, dorëhiqet këshilltari i lartë i Presidentit për Sigurinë e Vendit
Tom Bossert, këshilltari i lartë i Presidentit Trump për Sigurinë e Vendit, dha dorëheqjen papritmas të martën, një tjetër zyrtar i lartë që i shtohet listës së gjatë të atyre që largohen nga administrata Trump.
Nuk është dhënë asnjë arsye për dorëheqjen e tij, por ajo vjen një ditë pas fillimit të detyrës së konservatorit John Bolton në postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare, i treti që merr këtë post gjatë 15 muajve të presidencës Trump. Si Bloomberg News ashtu edhe CNN njoftojnë se Bossert largohet me kërkesë të zotit Bolton.
Bossert, 43-vjeçar, shërbente në Shtëpinë e Bardhë të zotit Trump që nga inaugurimi i tij. Ai ishte një këshilltar kryesor i presidentit për sigurinë kibernetike. Bossert u dallua gjithashtu për trajtimin e përgjigjes së qeverisë ndaj uraganeve shkatërruese në Teksas, Porto Riko dhe Ishujt Virgin vitin e kaluar.
Ai është shfaqur shpesh në emisionet televizive të lajmeve për të përfaqësuar pikëpamjen e administratës Trump mbi kërcënimet e terrorizmit.
Por kandidatura e tij për t’u bërë këshilltar i sigurimit kombëtar u la mënjanë në favor të zotit Bolton, ish-ambasador në Kombet e Bashkuara, i cili i zë vendin gjeneralit H.R. McMaster që u largua nga kjo detyrë.