Sektori bankar i Kosovës me investitorë të rinj
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka prit në takim përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga Presidenti Nazar Mehmeti, Sekretari i Përgjithshëm Ismet Smajli dhe Drejtori Naim Dedushaj.
Mehmeti falënderoi delegacionin për interesimin e tyre në sistemin financiar në Kosovë dhe i informoi lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar në Kosovë dhe lidhur me treguesit e shëndetit financiar. Gjithashtu, ai theksoi kontributin e madh që diaspora shqiptare ka dhënë në të kaluarën dhe po vazhdon ta jap për zhvillimin ekonomik të Kosovës, përfshirë këtu nevojën e madhe që të hyrat nga diaspora të transformohen nga konsumi në investime që do kontribuonin direkt në zhvillim ekonomik të Kosovës.
Në takimin e zhvilluar u diskutua mundësia e investimit në sektorin bankar të Kosovës, ku përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës shprehën gatishmërinë për fillimin e procedurave për hapjen e bankës së diasporës në Kosovë.
Mehmeti mirëpriti një iniciativë të tillë dhe informoi përfaqësuesit e Rrjetit lidhur me kërkesat ligjore të BQK-së për licencimin e një banke. /Gazeta Ekonomia