EkonomiPolitikë

Sejko i raporton Kuvendit pse u forcua leku

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka prezantuar sot Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Ai ka theksuar se viti që lamë pas ka qenë një vit progresi për ekonominë dhe për sistemin financiar shqiptar.

“Sipas të dhënave të Instat-it: ekonomia shqiptare u rrit me 3.8% në terma vjetorë dhe krijoi rreth 79 mijë vende të reja pune në sektorin privat jobujqësor; norma e papunësisë dhe deficiti i llogarisë korrente u reduktuan; ndërsa, inflacioni erdhi në rritje.

Paralelisht me zhvillimet në sektorin real, normat e interesit në tregjet financiare mbetën të ulëta dhe treguesit e shëndetit të sistemit bankar erdhën në përmirësim.

Në veçanti, raporti i kredive me probleme zbriti në 13.2% në fund të vitit, një reduktim ky prej rreth 5 pikësh përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Të gjithë këta indikatorë tregojnë një përmirësim të pozicionit ciklik të vendit dhe ofrojnë sinjale inkurajuese për perspektivën e rritjes ekonomike në të ardhmen“, vuri nw dukje guvernatori.

Sejko u ndal tek kursi i këmbimit.

“Forcimi i lekut gjatë dy viteve të fundit ka qenë në vëmendjen e Bankës së Shqipërisë, si pasojë e ndikimit të gjithanshëm që ka ky faktor mbi treguesit e përgjithshëm ekonomikë e financiarë, përfshi dhe inflacionin.

Analizat tona tregojnë se tendenca mbiçmuese e kursit të këmbimit pasqyron përmirësimin e faktorëve fondamentalë, të tillë si ngushtimi i deficitit tregtar dhe i atij të llogarisë korrente, nivelet e larta të prurjeve valutore në formën e investimeve të huaja direkte, si dhe rritja e besimit ndaj monedhës kombëtare në tregun e brendshëm financiar.

Për sa kohë ky mbiçmim përfaqëson efektin e faktorëve të qëndrueshëm ekonomikë e financiarë, ai nuk sjell pasoja të dëmshme për ekonominë shqiptare.

Megjithatë, efektet e tij shfaqen në formën e presioneve të reduktuara inflacioniste në tregun e brendshëm shqiptar. Forcimi i lekut vlerësohet të ketë reduktuar inflacionin e vitit 2017 me 0.2-0.3 pikë përqindje”, tha Sejko.