Kadri Veseli ka vendosur për shkarkimin e Besim Beqajt
Kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës Kadri Veseli po pret konfirmimin e aktakuzës për ministrin Besim Beqaj, për t’i kërkuar më pas atij lirimin nga detyra e të parit të inovacionit.
Burime pranë Partisë Demokratike të Kosovës bëjnë të ditur se Veseli tashmë e ka vendosur shkarkimin e Beqajt, por po pret konfirmimin e aktakuzës.
“Në fakt vendimi është marrë, por kryetari po pret që aktakuza të jetë e konfirmuar plotësisht, në mënyrë që mos t’i hyjë në hak as ministrit”ka thënë burimi.
Të premten Prokuroria Speciale njoftoi se ka ngritur aktakuzë për disa persona, ndër ta edhe zyrtarë të lartë të PDK-së, për aferën “Pronto”.
Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve.
Veseli ishte deklaruar ditë më parë se po të ishte ministri i punëve të brendshme nga partia e tij, pas skandalit me turqit, ai do e shkarkonte nga detyra
“Po të ishte ministri i partisë sime do ta shkarkoja për dy minuta” kishte thënë Kadri Veseli për ish-ministrin Flamur Sefaj.
Pritet të shihet nëse Veseli do e mbajë fjalën.