Biznesi i vogël ul qepenat
Në tregun e Medresesë, të gjithë shitësit ulën qepenat në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë për uljen e pragut të vetëdeklarimit të TVSH-së.
Edhe shitësit në Tregun Elektrik dhe në atë që njihet si “Tregu Çam” iu bashkuan protestës. Ata ulën qepenat dhe në shenjë kundërshtimi të vendimit të Qeverisë vendosën një letër me mbishkrimin “Protestoj”.
Në pjesët e tjera të Tiranës u protestua gjithashtu. Në Kamëz, Tregu i Institutit ndali plotësisht punën, ndërkohë që thirrjes iu bashkuan edhe bizneset e vogla dhe të mesme nga qytetet e tjera, si në Durrës e Korçë.
Ata refuzojnë të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar, skemë në të cilën u futën që prej 1 prillit. Javën që shkoi pati protesta në disa qytete.
Biznesi i vogël ul qepenat; protestës së nisur në Tiranë i bashkohen edhe rrethet, por me bizneset është edhe opozita, e cila prej ditësh ka bërë thirrje për mospagimin e TVSH-së si një formë të mosbindjes civile. Deputetë të PD dhe të LSI-së u shfaqën në krah të biznesit të vogël në Medrese dhe tek Tregu Elektrik.
Protesta e bizneseve të vogla është shtrirë edhe në disa qytete kryesore. Në Lezhë shumë biznese të vogla kanë mbyllur qepenët.
Edhe në Berat disa biznese ulën qepenat në shenjë protestë.
Në Korçë kanë qenë të pakët tregtarët të cilët i janë bashkuar protestës. Edhe ato pak biznese kanë mbyllur qepenat vetëm për pak minuta.
Në Lushnje asnjë subjekt nuk ka mbyllur qepenat.
Protesta e biznesve është e treta që po zhvillohet brenda 10 ditësh, pas asaj kundër pagesës në “Rrugën e Kombit” dhe bllokimit të rrugëve në 4 pikat kryesore të vendit.