Agim Bahtiri i zë vendin Flamur Sefaj në MPB
Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli dhe nënkryetari i kësaj partie Agim Bahtiri, janë takuar në orët e pasdites së sotme për të diskutuar lidhur me emrin e rij të Ministrit të Punëve të Brendshme, pas shkarkimit të Flamur Sefaj nga ky funksion.
Kështu ka bërë të ditur një burim i mirinformuar brenda AKR-së. Sipas të njëjtit burim, ka qenë emri i zëvendësministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Besnik Beka, ai i cili është përmendur në këtë takim, si personi më i duhur për të marrë përsipër udhëheqjen e MPB-së.
“Sot është takuar kryetari Pacolli dhe nënkryetari Bahtiri për të diskutuar lidhur me pozitën e ministrit të MPB-së. Në takim është përmendur emri i Besnik Bekës për ministër të këtij dikasteri, me propozim të Bahtirit. Këtë propozim e ka mirëpritur edhe Pacolli, por vendim nuk kanë marrë në këtë takim. Pritet që në ditët e ardhshme të dalin me vendimin përfundimtar”, tha burimi.
Rreth një javë më parë Behgjet Pacolli e kishte emëruar Agim Bahtirin si përgjegjësin e parë të partisë për shkak të angazhimeve të tij si zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme.
Sefaj së bashku me drejtorin e AKI-së Driton Gashi u shkarkuan pas arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq, për çka kryeministri Haradinaj tha se nuk ka qenë i informuar nga asnjëri për këtë veprim./Gazeta Blic/