Thaçi në Koshare: Kërcënimeve të Serbisë do t’iu përgjigjemi si 19 vjet më parë
Presidenti Hashim Thaçi tha se Kosova do t’i përgjigjet Serbisë dhe çdo kërcënimi, ashtu si 19 vjet më parë.
“Edhe sot, Kosova dhe rajoni ballafaqohen me sfida derisa Kosova ndonjëherë edhe më kërcënime të drejtpërdrejta nga Beogradi. Përgjigja e shtetit të Kosovës është e qartë, çdo kërcënimi do t’i përgjigjemi, si i jemi përgjigjur më herët, 19 vjet më parë”.
Kreu i vendit këto komente i bëri në manifestimin e “Ditët e Shqipes” që mbahet për të kujtuar Betejën e Koshares, raporton Ekonomia Online.
“Kujtojmë me krenari përvjetorin e 19-të të Betejës së Koshares, kujtojmë luftën e lavdishme të djemve dhe vajzave që iu bashkuan radhëve të UÇK-së. Në Betejën e Koshares, UÇK dëshmoi se kishte hyrë në një fazë më të lartë të rezistencës përfundimtare për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës”.
Sipas tij, falë trimërisë së të gjithë luftëtarëve të UÇK-së në Betejën e Koshares u arrit një fitore historike, shembja e gurit që kishte ndarë për një shekull tokat shqiptare.
“Me respektin më të lartë shtetëror dhe kombëtar, nderojmë sakrificën e të rënëve. Kujtojmë heronjtë, Sali Çeku, Agim Ramadani dhe gjithë të tjerët si dhe shprehim nderimet për invalidët dhe veteranët e Betejës së Koshares”.
Ai u shpreh i bindur se Kosova po ec sigurt drejt integrimit evropian.
“Qëllimet madhore nuk mund të arriheshin pa sakrifica të mëdha, pa përkrahjen e ShBA-së, vendeve të BE-së dhe NATO-s. Kosova nuk ka orientim tjetër përpos atij euro-atlantik”.
“Kosova, përkundër sfidave, është tregim i suksesshëm i shtetndërtimit. Në çdo kohë u jemi mirënjohës shteteve mike që na përkrahën edhe në fazat e konsolidimit të brendshëm edhe në afirmimin ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Fillimisht Thaçi, bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj e ministrin e FSK-së, Rrustem Berisha, bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare.
Beteja e Koshares që u zhvillua më 9 prill të vitit 1999 në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë betejë u thye kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë që shënoi jo vetëm një fitore për UÇK-në, por i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.