AktualitetBota+PolitikëTë fundit

FBI konfiskon dokumente të avokatit personal të Donald Trump

Agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve, të pajisur me autorizime të gjykatës, konfiskuan dokumente të avokatit personal të presidentit Donald Trump, Michael Cohen, në zyrën e tij në Mahatan të Nju Jorkut.

Kjo u bë e ditur në një deklaratë të avokatit të zotit Cohen, Stephen Ryan.

Ai tha se urdhrat për kërkimin e dokumenteve u ekzekutuan nga zyra e avokatit amerikan për qarkun jugor të Nju Jorkut, por ato kanë lidhje vetëm “pjesërisht” me hetimet e prokurorit të posaçëm Robert Mueller.

Zoti Ryan tha se agjentët konfiskuan “komunikime klient-avokat që mbrohen me ligj,” por nuk dha hollësi mbi përmbajtjen e tyre. Ai shtoi se përdorimi i mandateve të kërkimit ishte “krejtësisht i papërshtatshëm dhe i panevojshëm”.

Michael Cohen është avokati personal i zotit Trump.

Muajt e fundit, ai është vënë nën vëzhgimin e pandërprerë të medias, për shkak të një pagese prej 130 mijë dollarësh që i ka bërë aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, e cila pretendon se ka pasur lidhje intime me zotin Trump në mesin e viteve 2000.

Presidenti Trump thotë se nuk ka qenë në dijeni të pagesës, për të cilën disa ekspertë ligjorë thonë se mund të jetë nxjerrë nga kontributet për fushatën e tij zgjedhore dhe si rrjedhojë ka qenë e paligjshme./VOA