Lulzim Basha, kreu i opozitës, u procedua nga Policia e Tiranës
Policia e Tiranës procedoi penalisht 50 organizatorë dhe pjesëmarrës të protestës opozitare të ditës së enjte, kur qindra njerëz bllokuan katër rrugë kombëtare për rreth dy orë.
Policia përmendi akuzat “Organizimi dhe pjesëmarrja në tubime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Njoftimi i policisë përshkruan me moshë dhe iniciale organizatorët dhe protestuesit proceduar, që bllokuan autostradat.
Por është zbuluar se midis tyre janë dhe emrat e kryetarit të partisë demokratike, Lulzim Basha, dhe kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi.
Janë proceduar po ashtu deputetë dhe politikanë të opozitës Edmond Spaho, Flamur Noka, Nard Ndoka, Arben Ristani, Luan Rama, Viktor Tusha, bashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, bashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu dhe bashkiakë të tjerë.
Për protestën në rrethrrotullimin e Vorës në autostradën Tiranë – Durrës janë proceduar 8 persona.
Për protestën në aksin Mamurras – Milot policia ka proceduar 23 persona, që iu bindën thirrjes së opozitës për mosbindje civile.
Për protestën në rrugën e Bradashesh policia ka proceduar 12 organizatorë dhe pjesëmarrës.
Për protestën në kryqëzimin e Çermës janë proceduar penalisht 7 drejtues dhe anëtarë të opozitës.
Policia procedoi penalisht 4 persona për “Ndotje të ajrit”, sepse protestuesit dogjën disa goma në rrugë dhe “po punon të identifikojë edhe persona të tjerë në këto tubime”, thotë policia.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se ndjehej i nderuar, që u procedua penalisht bashkë me qytetarët në protestë për një të drejtë legjitime.
Ai tha se do të vazhdonte mbrojtjen e 11 kuksianëve të arrestuar, që mbahen padrejtësisht në qelitë e burgut dhe se procedimi ishte një veprim qesharak i hetuesisë, e cila nuk mund të arrestojë dot të gjithë opozitën.