Takime me Merkel – Vuçiq sërish në Berlin
Shpeshtohen vizitat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Berlin. Javën e ardhshme ai pritet sërish nga kancelarja Merkel. Edhe në shkurt presidenti Vuçiq ishte në Berlin. Dje ai ka biseduar me Merkel për Kosovën.
Më 13 prill, kancelarja gjermane, Angela Merkel pret për vizitë sërish kreun e shtetit serb, Aleksander Vuçiq, ka njoftuar zyra e kancelares gjermane. Në qendër të vizitës janë bisedimet për marrëdhëniet bilaterale, por edhe çështjet rajonale. Vuçiq pritet të bisedojë propozime me Merkel për një zgjidhje të konfliktit dhjetëravjeçar me Kosovën. Presidenti serb dje kancelarja Merkel do të kenë një drekë të përbashkët të premten, raporton DW.
Në këtë kuadër presidenti serb ka biseduar në telefon me kancelaren Merkel të premten, (06.04) bëjnë të ditur mediat, edhe për zgjidhjen e konfliktit me Kosovën. Vuçiq ka bërë të ditur se do të bëjë propozime për një zgjidhje të qëndrueshme në marrëdhëniet me Kosovën. Berlini intensifikon bisedimet me Serbinë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë. Ardhja e Vuçiqit është hera e dytë brenda dy muajsh, në fund të shkurtit ai u prit nga kancelarja gjermane.
Dihet se Serbia mund të afrohet më tej me Brukselin, vetëm nëse i jep përfundimisht zgjidhje konfliktit me Kosovën. Kosova e njohur nga më shumë se 110 shtete nuk njihet nga disa vende të BE. Anëtarë si Spanja, Rumania apo Qiproja kanë kërcënuar madje bllokimin e samitit të Ballkanit Perëndimor të presidencës bullgare në maj në Sofje, nëse Kosova ftohet si shtet i barabartë. Edhe Greqia dhe Sllovakia nuk e pranojnë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.