Mevlüt Çavuşoğlu: Nëse Kosova nuk shpëtohet nga kjo vorbull bëhet shtet nën kontrollin e FETO-s
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se në rast se Kosova nuk mund të shpëtohet nga vorbulla në të cilën ka rënë do të jetë një shtet nën kontrollin e FETO-s, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Çavuşoğlu mori pjesë në mbledhjen e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Alanya. Ai në fjalimin e tij me rastin e pjesëmarrjes në këtë program, mes tjerash komentoi edhe rreth situatës në Kosovë, pas deportimit të gjashtë pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO/PDY nga Kosova në Turqi. Kryediplomati turk i cili tha se do të ndjekin pjesëtarët të pabesë të FETO-s kudo që të jenë, theksoi se do t’i ndjekin edhe brenda edhe jashtë Turqisë.
“Me ikje jashtë vendit, atje nuk mundeni ta tradhtoni shtetin Turk. Kudo që të jeni nuk ka rehati, nuk ka qetësi për ju. Kudo që të jeni do të jepni llogari. Këto ditë i sjellim këto nga disa shtete, dhe i dorëzojmë drejtësisë, gjyqësorit. Së fundi i sollëm nga Kosova. Kosova hyri në telashe. Pse hyri në telashe? Pse u larguan nga detyra? Ndërsa jemi shteti i dytë që njohu Kosovën pas SHBA-ve dhe jemi duke luajtur një politikë aktive në botë për njohjen e Kosovës”, tha Çavuşoğlu.
Ministri Çavuşoğlu theksoi më tej se “Presidenti ynë kurdo që ka ndonjë shtet që nuk e ka njohur Kosovën, në bisedën e tij me kryeministrin, presidentin e atij vendi ia kujton këtë. Këtë e bëjmë sepse i besojmë kësaj. Marrëdhëniet me Serbinë janë të shkëlqyera. Pika e vetme në të cilën nuk mund të pajtohemi është Kosova. Me Serbinë i zhvilluam marrëdhëniet duke e marrë Kosovën në kllapa. Me Serbinë duam në çdo aspekt të zhvillojmë marrëdhëniet, ashtu edhe me gjithë. Por pse Kosova? Më së shumti ne investojmë. Jemi në vendin e tretë. Ka dy shkaqe; e para FETO. Kanë infiltruar në pikat më të thella të çdo institucioni. Pse i larguan nga detyra disa? Ja njëri prej atyre që erdhi, rrëfeu: Jemi duke i shkolluar fëmijët e atyre, prandaj. I marrin fëmijët e tyre, i marrin fëmijët e elitës. Ato hyjnë në institucionet shtetërore dhe kontrollojnë brenda. Edhe Kirgistanit i bëjnë kështu. Edhe në shtetet tjera. Në Afrikë bëjnë kështu. Gjithashtu edhe shpenzojnë shumë para”.
– “Luftohet me të gjitha organizatat terroriste”
Çavuşoğlu u shpreh se: “Në rast se Kosova nuk mund të shpëtohet nga kjo vorbull ku ka rënë, bëhet shtet nën kontrollin e FETO-s. Jemi të detyruar si Turqi t’i tregojmë këto të fakte. Nuk i pranojmë as fjalimet që i bëjnë ndaj Turqisë. Përgjigja e miqësisë, vëllazërisë dhe mbështetjes nuk duhet të jetë kjo. A jeni miku i dy pabesëve, ose i Turqisë? Ne gjatë historisë kemi qenë mik dhe vëllezër. Edhe pas kësaj do jemi kështu. Duhet të pastrohen pabesët nga vendi jonë dhe nuk duhet të lejojmë që të marrin peng marrëdhëniet tona”.
Ai theksoi se reagimet erdhën pas presionit të “mbështetësve të këtyre të pabesëve”.
“Shpresoj që Kosova të pastrohet nga këta të pabesë. Vëllezërit tanë kosovarë të gjejnë paqe, por pa marrë parasysh, qoftë në Kosovë qoftë në ndonjë vend tjetër nuk do të lejojmë strehimin e tradhtarëve ndaj nesh. Kjo nuk është përzierje në punët e brendshme të tyre. Kosova nuk duhet të strehojë në vendin e saj tradhtarët që kanë bërë grusht shteti në Turqi. Kjo është ajo që presim nga miku. Shpresojmë se pas kësaj Kosova ndërmerr hapa të përgjegjshëm dhe bën atë që kërkon miqësia dhe vëllazëria”. tha minstri i jashtëm turk.
Çavuşoğlu gjithashtu tha se punimet dhe lufta e tyre nuk është vetëm kundër FETO-s, por edhe kundër PKK-së dhe YPG-së.