Marko Gjuriç, hyn përsëri në Kosovë
Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, të shtunën dhe të dielen do të qëndrojë në veri të Kosovës, ku do të marrë pjesë në liturgjinë e mesnatës me rastin e Pashkëve Ortodokse.
Këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Jetlir Zyberaj, ka konfirmuar për AA se Gjuriç ka paraqitur kërkesën dhe i është lejuar vizita në Kosovë.
Sipas Zyberaj, pa marrë parasysh që është zyrtar, edhe Gjuriç sikurse secili pelegrin tjetër e gëzon të drejtën që të lutet në cilëndo kishë që ai dëshiron.
“Po, kërkesa i është aprovuar në frymën e paqes dhe mirëkuptimit me rastin e festës së Pashkëve Ortodokse. Rregullat do t’i respektoj ngase është përballur dhe është njohur me realitetin e ri në Kosovë dhe nëpërmjet tij, me këtë realitet është njohur secili zyrtar i shtetit serb”, u shpreh Zyberaj.
Kujtojmë se më 26 mars, Marko Gjuriç kishte hyrë në Kosovë për të marrë pjesë në një debat për dialogun në Kosovë, përkundër asaj që MPJ e Kosovës nuk kishte dhënë leje për hyrje. Pas kësaj, Policia e Kosovës kishte arrestuar Gjuriçin në Mitrovicën e Veriut, duke e dërguar në një stacion policor në Prishtinë. Më pas, policia, bazuar në refuzimin për hyrje në vend, të njëjtin e kishte larguar nga territori i Republikës së Kosovës./Anadolu Agency (AA).