Kosovë: Përgjimet telefonike, 11 të akuzuar
Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti të premten aktakuzë ndaj 11 personave të përfshirë në skandalin e përgjimeve telefonike, që u bë i njohur si rasti “pronto”, për shkak të përdorimit të kësaj fjale gjatë komunikimeve, raporton Zëri i Amerikës.
Ndonëse prokuroria në njoftimin e saj ka vënë vetëm nistoret e të akuzuarve, ajo ka publikuar postet që mbajnë apo kanë mbajtur të akuzuarit që janë, ish deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti Zenun Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Brendshme, Ilhami Gashi; kryetari i degës së Partisë Demokratike në Prizren, Njazi Kryeziu; ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj; ish-këshilltari i ministrit të Brendshëm Sedat Gashi, si dhe ish-shefja e Divizionit Farmaceutik në ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.
Sipas akuzës ata ngarkohen për kryerjen e veprës penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”
Sipas aktakuzës, “të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj”.
Në aktakuzë është trajtuar sic thuhet “çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediet dhe shoqëria civile”
Ngritja e aktakuzës pasoi një periudhë të gjatë hetimesh që zunë fill me hapjen e tyre më 26 gusht të vitit 2016 ndaj ish deputetit të Partisë Demokratike, Adem Grabovci.
Hetimet kundër tij atëbotë pasuan publikimin e përgjimeve të bisedave në gazetën në internet “Insajderi”, ku shfaqet ndikimi i ushtruar nga ai dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.
Përgjimet janë kryer gjatë muajve të fundvitit 2011 dhe në fillim të vitit 2012 në kuadër të hetimeve që kryheshin atëbotë në ish Ministrinë e Transportit, ku subjekt i përgjimeve, me autorizimin e prokurorit të EULEX-it, ishte edhe Adem Grabovci.
Publikimi i përgjimeve nxiti shumë reagime në Kosovë. Diplomatë perëndimorë kërkuan analizë të plotë e transparente, ndërsa partitë opozitare bënë thirrje që hetimet të çohen deri në fund. Grupe organizatash joqeveritare për ditë me radhe kishin protestuar duke kërkuar drejtësi dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.