AktualitetPolitikëTë fundit

Kosovë, opozita kërkon zgjedhje të parakohshme

 Kreu i grupit parlamentar të partisë opozitare Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, në konferencën për media ka deklaruar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, sepse sipas tij nuk mund të udhëhiqet me një “qeveri të pakicës” që ka vetëm 42 deputetë të shumicës shqiptare.

Hoti iu referua tre çështjeve, deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi, të cilët ishin pjesëtarë të organizatës terroriste FETO/PDY, daljes së Listës Serbe nga përbërja e qeverisë, si dhe qëndrimit të Kryesisë së LDK-së se vendi nuk mund të udhëhiqet më tej nga, siç tha ai, “qeveria e pakicës”.

Duke përmendur debatin parlamentar lidhur me deportimin e gjashtë shtetasve turq të zhvilluar para dy ditëve me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDK-së, Hoti tha se ai debat është zhvilluar vetëm në mes të deputetëve, pasi qeveria dhe kryeministri nuk kanë qenë prezent.

Hotit, tha se kryeministri i vendit ka dështuar të kryejë obligimin ligjor dhe kushtetues për të siguruar zbatimin e plotë të të drejtave themelore njerëzore, përkatësisht siç tha ai, të ketë në mbikëqyrje institucion përkatëse. Ai po ashtu theksoi se presidenti ka tejkaluar kompetencat kushtetuese.

“Kryeministri nuk ka dhënë as një sqarim për këto çështje dhe detyrimisht deputetët dhe të gjitha grupet parlamentare u pajtuan në propozimin tonë që të formohet një Komision hetimor parlamentar për këtë çështje. Tani presim nga grupet parlamentare që të dërgojnë propozimet për anëtarë në këtë komision hetimor parlamentar, i cili duhet të bisedojë me të gjithë bartësit e institucioneve për të zbardhur këtë skandal institucional”, tha Hoti.

Në lidhje me daljen e Listës Serbe nga qeveria, ai tha se tani vendi udhëhiqet nga një qeveri që ka vetëm 42 deputet të shumicës shqiptare dhe 10 deputet të pakicave që gjithsej arrijnë 52 ulëse në Kuvend.

Duke e konsideruar qeverinë aktuale si të rënë, Hoti tha se opozita ka 68 deputetë dhe si rezultat i këtyre zhvillimeve udhëheqësit e qeverisë duhet të dalin para Kuvendit të Kosovës dhe të japin dorëheqje.

Hoti propozoi se para mbajtjes së zgjedhjeve partitë duhet të arrijnë një marrëveshje për datën e zgjedhjeve përmes një tryeze të përbashkët për arsye që të ketë kohë për përgatitje. Ai shtoi se nëse kjo nuk ndodhë, do të obligohen që të çojnë mocion të mosbesimit për Qeverinë.