SHBA fajëson OKB-në për rritjet e sulmeve me armë kimike
SHBA paralajmëruan Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për një rritje alarmante të sulmeve me armë kimike një vit pasi një agjent nervor vdekjeprurës u hodh mbi civilët në Sirinë veriperëndimore.
Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit, ambasadorja e përhershme amerikane në OKB, Nikki Haley tha se paaftësia e OKB-së për të sunduar ndaj regjimit të Bashar al-Asadit pas sulmeve kimike të njëpasnjëshme për të cilat është fajësuar, ka nxitur vendet e tjera të kryejnë veprimet e tyre të paligjshme.
“Mungesa jonë e veprimit ka pasoja. Kur e lëmë një regjim jashtë goditjes të tjerët marrin njoftim. Përdorimi i agjentëve nervor në Salisbury dhe Kuala Lumpur dëshmon këtë pikë dhe zbulon një prirje të rrezikshme. Ne jemi duke ecur me shpejtësi prapa, duke kaluar përsëri në një botë që menduam se u larguam”, tha Haley.
Ajo i referohej sulmit me agjent nervor ndaj ish-spiunit rus dhe vajzës së tij në Britani për të cilin fajësohet Rusia, si dhe sulmit fatal ndaj gjysmë vëllait të udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, për të cilin u fajësua Koreja e Veriut.
Sulmet me armë kimike në Siri janë kryer gjatë vitit të kaluar në qytetin verilindor Khan Sheikhoun. Për sulmet ku mbetën të vrarë dhjetra njerëz, u fajësua regjimi sirian i Asadit.
Dje, Këshilli i Sigurimit i OKB-së u tubua për të diskutuar mbi përdorimin e armëve kimike në Siri në përvjetorin e atij sulmi, i cili nxiti një zemërim ndërkombëtar.
Sipas Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut, regjimi i Asadit ka kryer 11 sulme kimike që nga ai në Khan Sheikhoun.
Rusia mbrojti regjimin sirian për të cilin tha se nuk ka kryer asnjë sulm me armë kimike, pasi i dërguari i saj në OKB, Vasily Nebenzya tha se Moska mbështet thirrjet e Sekretarit të Përgjitshëm për t’u bashkuar kundër kërcënimit të armëve kimike.
Nebenzya poashtu bëri thirrje për një takim të hapur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për ditën e sotme, për të diskutuar mbi sulmin me agjent nervor në Britani.
Ndërkaq, e dërguara e Mbretërisë së Bashkuar në OKB, Karen Pierce, u tha gazetarëve para se Këshilli të tubohej se Londra u kërkon të gjitha kombeve të marrin “shumë seriozisht” përdorimin e armëve nga regjimi sirian, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Rusisë.
“Një nga arsyet pse P9 ekziston është që të jemi kujdestarë të mos-përhapjes, kështu që ne do t’i bëjmë thirrje rusëve që të përpiqen dhe të na ndihmojnë të gjejmë një mënyrë për të ndaluar përdorimin e tyre”, tha Pierce, duke iu referuar pesë anëtarëve të përhershëm të KS-OKB-së.
“Ne po shqyrtojmë të gjitha mënyrat e marrjes së asaj përgjegjësie. Do ta kuptoni se rusët kanë bllokuar Mekanizmin e Përbashkët Hetimor, prandaj kjo na ka privuar nga një mjet i dukshëm ndërkombëtar, por do të flasim me të gjithë kolegët tanë në Këshillin e Sigurimit për mënyrën më të mirë për ta çuar këtë përpara”, shtoi ajo.