AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Shpjegimi me durim i çështjes. Nuk do të fillojmë sistemin e pagesës pa dhënë zgjidhjen më të mirë të mundshme për atë zonë

Kryeministri Rama sot në fjalën e tij  në Kuvend ka folur lidhur me rishikimin e pagesës së taksës në Rrugën e Kombit. Ai tha se nuk ishte folur me konçesionarin për banorët e zonës.

Rama i ka kërkuar ndjesë  banorëve të Kukësit, pasi “qeverisë së tij i ka munguar intuita ” siç e thksoi ai “për të dhënë sqarimet dhe shpjegimet për një vendimmarrje të tillë”.

Kryeministri premtoi se pagesa e tarifave në këtë aks rrugor nuk do të fillojnë deri sa të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme.

“Opozita e ka humbur rrugën dhe kërkon që të tërheqë sa më shumë njerëz në rrugën e tyre pa krye, por unë do merrem me atë që është detyra jonë e ditës; shpjegimi me durim i çështjes që ka krijuar pakënaqësi të ligjshme të banorëve të zonës së Kukësit, tha Rama .

Ajo që duhet përsëritur nga ana e qeverisë, është vetëdija për përgjegjësinë time dhe tonën për pamjaftueshmërinë e shpjegimeve dhe sqarimeve lidhur me këtë çështje”.

Ai tha se qeveria nuk ka bërë sa duhet, “jo sepse kemi qenë indiferent apo kemi lënë në harresë impaktin negativ që me të drejtë ka shkaktuar kështu siç është paraqitur dhe manipuluar nga katër anët vendosja e pagesës në shpirtrat e mendjet e njerëzve të zonës, por thjesht sepse nuk kemi pasur intuitën e duhur për të kuptuar domosdoshmërinë e sqarimit të gjithë kësaj çështjeje, para se të vendosej sistemi i pagesës”.

Rama dha arsyet pse qeveria nuk ka dhënë shpjegime dhe pse nuk ka pasur intuitën e duhur për këtë çështje.

“Pse kemi përgjegjësi unë i pari, qeveria, për akumulimin e kësaj pakënaqësie? Sepse, u kam kërkuar ndjesë publike banorëve të zonës dhe do ua kërkoj deri në fund sa herë të flas për këtë temë, por i nisur thjesht nga praktika ndërkombëtare dhe duke qenë një përvojë e parë, nuk ishim të papërgatitur për çfarë mund të krijonte një risi e tillë nga pikëpamja psikologjike për njerëzit e painformuar sa duhet”,  tha ai mes të tjerash.

Rama theksoi “Ne, nuk do të fillojmë sistemin e pagesës pa dhënë zgjidhjen më të mirë të mundshme për atë zonë.”