Lufta e gabuar
Max Boot
Pas Luftës së Vietnamit, ushtria amerikane qëllimisht filloi të harronte gjithçka që kishte mësuar për rastin brutal dhe të pakëndshëm të luftës kundër guerilëve. Gjeneralët vepronin nën supozimin se nëse nuk do të përgatiteshin për atë lloj lufte, nuk do t’iu kërkohej që ta luftonin. Theksi në vitet 1980 dhe 1990, edhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ishte në luftën kundër kundërshtarëve konvencionalë dhe uniform. Kjo funksionoi mirë në Luftën e Gjirit të vitit 1991, por la forcat e armatosura të SHBA-ve të përgatitura tragjikisht keq për luftërat pas ngjarjes së 9/11, të Afganistanit dhe Irakut.
Kam frikë se historia mund të jetë gati të përsërisë veten. Për diskutimin e librit tim të ri mbi veprën e operativit të fshehtë legjendar të epokës së Vietnamit Edward Lansdale, unë kam vizituar instalime ushtarake, përfshirë Kolegjin e Luftës së Ushtrisë, Fort Benning, Shkollën Pasuniversitare Detare dhe Pentagonin. Dhe kudo që shkoja, dëgjoja se ushtria po kalon fokusin e saj nga kundërsiguria tek konflikti konvencional.
Kjo është në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes së Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis, i cili thotë: “Konkurrenca strategjike ndërshtetërore, jo terrorizmi, tani është shqetësimi kryesor për sigurinë kombëtare të SHBA-ve”. Mattis pranon se “kërcënime ndaj stabilitetit janë edhe grupe terroriste me shtrirje të gjatë që vazhdojë të vrasin të pafajshëm dhe të kërcojnë paqen në tërësi” por ai është më i shqetësuar nga kërcënimet e “fuqive revizioniste” (Rusia, Kina) dhe “regjimet mashtruese” (Irani, Koreja e Veriut).
Analiza e tij ka kuptim në një nivel të caktuar, duke pasur parasysh se të gjitha ato vende anti-amerikane janë duke zgjeruar aftësitë e tyre ushtarake. Por konflikti me intensitet të ulët nuk po largohet. Ky lloj konflikti ka ekzistuar që prej agimit të njerëzimit (lufta fisnore është në thelb lufta guerile) dhe do të mbetet një kërcënim i madh pavarësisht humbjes së Kalifatit nga Shteti Islamik.
Ndërkohë që përballemi ende me kërcënime terroriste dhe guerile, ne gjithashtu ballafaqohemi me sfida të pazakonta nga vende të tilla si Kina, Irani dhe Rusia që kanë ngritur atë që njihet si konflikte “asimetrike”, “me zona gri” ose “hibride”. Siç vë në dukje Strategjia e Mbrojtjes Kombëtare: “Në konkurrencë pa konflikt të armatosur, fuqitë revizioniste dhe regjimet mashtruese po përdorin korrupsionin, praktikat grabitqare ekonomike, propagandën, përmbysjen politike, aleatë satelitë dhe kërcënimin ose përdorimin e forcës ushtarake për të ndryshuar faktet në terren”.
Rusia është veçanërisht e aftë në këtë lloj lufte. Prokurori i posaçëm Robert S. Mueller III akuzoi dhe Departamenti i Thesarit vendosi sanksione mbi Agjencinë e Kërkimit në Internet në Shën Petersburg, për përpjekjet e saj të suksesshme për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2016. Në pothuajse të njëjtën kohë, mercenarët rusë që punonin për një firmë private të quajtur Grupi Wagner sulmuan një bazë të SHBA-ve në Siri, duke pësuar humbje të mëdha nga fuqia ajrore amerikane.
Agjencia e Kërkimeve në Internet dhe Grupi Wagner janë në pronësi të të njëjtit njeri: Yevgeniy Prigozhin, një oligark rus i cili njihet si “kuzhinieri” i presidentit Vladimir Putin, sepse ai filloi karrierën duke hapur restorante. Prigozhin nuk do të shkonte as në banjo pa lejen e Putinit, por fakti që ai nuk është punonjës i qeverisë i jep Kremlinit “mohueshmërinë” në kryerjen e agresionit të saj. Duke përdorur “burra të vegjël jeshil” në Ukrainë dhe në Siri, Putini ka zgjeruar ndikimin e tij duke minimizuar rrezikun e Luftës së Tretë Botërore.
Diktatori rus ka përdorur një qasje të ngjashme, të paqëndrueshme, me veprimet e tij në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Ai ka mbështetur liderët rusofil si Trump, Silvio Berlusconi në Itali dhe Viktor Orban në Hungari, duke mbjellë mospajtime dhe konfuzion në shoqëritë perëndimore. Aktakuza e Mueller detajon se si drejtuesi i fushatës së Trump Paul Manafort i pagoi një grup politikanësh evropianë – thuhet përfshirë ish kancelarin austriak Alfred Gusenbauer – 2.5 milionë dollarë për të lobuar në emër të një qeverie pro-ruse në Ukrainë.
Nuk ka asgjë të keqe me rindërtimin e kapacitetit luftarak konvencional të Shteteve të Bashkuara. Me çdo kusht, duhet të blejmë më shumë avionë luftarakë dhe anije detare. Duhen më shumë trajnime me artileri dhe tanke. Ato armë nevojiten për të mbajtur status quo-n dhe për të mbajtur paqen. Por mos mendoni që e gjithë kjo fuqi e zjarrit do të na mbajë të sigurt. Shtetet e Bashkuara kanë nevojë urgjente për të përmirësuar mbrojtjen e saj kundër luftës hibride.
Vende të tilla si Suedia dhe Italia po punojnë për të luftuar ndërhyrjen ruse të zgjedhjeve, duke edukuar qytetarët për “lajmet e rreme” dhe duke mbyllur boshllëqet që hakerat mund të shfrytëzojnë. Megjithatë, Admirali Michael S. Rogers, kreu i Komandës Kibernetike të SHBA-ve, i tha Kongresit se nuk i është dhënë autoritet i mjaftueshëm për të luftuar kundër ndërhyrjes së Kremlinit dhe se rusët “nuk kanë paguar një çmim. . . që do të ishte i mjaftueshëm për t’i bërë ata të ndryshojnë sjelljen e tyre”.
Gjeneralët shpesh akuzohen për luftimin e luftës së fundit. Në të vërtetë, ata kanë më shumë gjasa të përgatiten për një luftë të ardhshme që kurrë nuk arrin ndërsa neglizhojnë një konflikt aktual. Pentagoni do ta përsërisë atë gabim nëse përqendron energjinë e tij në luftërat konvencionale sesa kërcënimit hibrid. Për të qenë të drejtë, kjo nuk është e gjitha faji i Mattis. Angazhimi kundër luftës hibride kërkon bashkëpunim të gjerë civil-ushtarak. Por është e vështirë për të luftuar një luftë kur përfituesi kryesor i sulmit të armikut është komandanti kryesor. / The Washington Post /lexo.al