Fleckenstein: S’ka arsye t’i vëmë kushte Shqipërisë për negociatat
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti dje në mbrëmje Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, z.Knut Fleckenstein, i cili shoqërohej nga ambasadorja e delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.
Ministri Xhafaj, pasi falënderoi eurodeputetin për mbështetjen e plotë që ka dhënë për Reformën në Drejtësi dhe për rrugën e integrimit evropian në vazhdimësi, e informoi për prioritetet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit si dhe rreth rezultateve të deritanishme të Ministrisë së Brendshme. Ai e njohu z.Fleckenstein në mënyrë të hollësishme me arritjet në kuadrin e Operacionit “Forca e Ligjit”; procesin e Vetting-ut në Polici, që nis zbatimin këto ditë; projektin e Policimit në Komunitet, si dhe ritheksoi rezultatet e arritura në çështjen e azil-kërkimit, ku brenda pak muajsh, numri i kërkesave ra në mënyrë të ndjeshme.
Raportuesi për Shqipërinë në PE, konfirmoi dhe vlerësoi maksimalisht arritjet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.
Z.Fleckenstein theksoi se vizita është e shkurtër, por është shumë i kënaqur që u njoh me rezultatet konkrete dhe pozitive, arritur në kaq pak kohë. Ai u shpreh se reformat e ndërmarra dhe trendi pozitiv në zbatimin e tyre, janë të konfirmuara e të vlerësuara edhe nga përfaqësuesit e vendeve të BE-së në Bruksel dhe këtu në Tiranë, nga takimet që ka pasur me ta gjatë kësaj vizite.
Gjithashtu ai u shpreh i lumtur mbi deklaratën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, e cila kërkoi qartas hapjen e negociatave të pakushtëzuara me Shqipërinë.
“Nuk ka më asnjë arsye që Shqipërisë t’i vihen kushte për hapjen e negociatave”, u shpreh z.Fleckenstein.
Ai siguroi mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian në lidhje me këtë proces, duke rikonfirmuar se për PE-në nuk ka asnjë diskutim të hapur rreth vendimit për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Gjithashtu ai siguroi se roli i Parlamentit Evropian dhe i tij personal, do të jetë konstruktiv deri në marrjen e vendimit.