AktualitetPolitikëTë fundit

Basha u ul këmbëkryq në autostradën Tiranë- Durrës. Në Bradashesh hidhen tymuese dhe digjen goma.

      

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ul këmbëkryq në autostradën që lidh Tiranën me Durrësin, i mbështetur nga protestues të djathtë, por edhe nga bashkëshortja e tij.

Ai deklaroi se do jetë populli ai që do të vendosë se sa do të zgjasë protesta e sotme dhe të tjerat në vazhdim.

Sipas Bashës, protesta është plotësisht e ligjshme, ndaj opozitës nuk i është dashur fare të marrë leje për një protestë të ligjshme.

“Protesta do të zgjasë sa të vendosin qytetarët. Protesta është ligjshme, i paligjshëm është shteti privat i Edi Ramës”, tha Basha.

Por bllokimi i rrugës, ashtu siç ishte paralajmëruar nga opozita, ka ndodhur edhe në Bradashesh të Elbasanit.

Me qindra persona, në prani edhe të kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, kanë bllokuar këtë aks mjaft të rëndësishëm, jo vetëm për qytetin e Elbasanit, por për të gjithë juglindjen.

Përveçse kanë bllokuar rrugën në rreth-rrotullimin e Bradasheshit, protestuesit, raportohet se  kanë hedhur tymuese dhe kanë djegur goma.