Basha: Protestën do ta vazhdojmë ditën e martë.Të lirohen 11 pengjet
“Të lirohen të gjithë pengjet e fajit të Edi Ramës”. Kjo është thirrja e Kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, drejtuar Kryeministrit Edi Rama, lidhur me mbajtjen në burg të 11 kuksianëve që protestuan për Rrugën e Kombit.
Në përfundim të mbledhjes së opozitës së bashkuar, e cila u zhvillua në selinë e PD-së, Basha theksoi se opozita do të vazhdojë të jetë në krah të qytetarëve.
Kryedemokrati kritikoi edhe medien, duke thënë se “Rama sot nuk është tërhequr, por ka pranuar fajin për taksën e padrejtë në rrugën e Kombit.”
Për këtë arsye, ai tha se Kryeministri duhet të mbajë përgjegjësi penale për veprimet e tij.
“Falenderoj të gjithë qytetarët që iu bashkuan sot protestës dhe mosbindjes civile. Kjo tregon se akti i sotëm i ka bashkuar shqiptarët kundër padrejtësive të kësaj qeverie. Së dyti dua të ju bëj një kritikë medias, dhe fjalës tërheqje. Sot Rama sapo ka pranuar fajin. Por për sa kohë vazhdon taksa dhe marrëveshja, nuk ka tërheqje.
Ndaj i bëjmë thirrje të lirohen 11 pengjet e fajit të Edi Ramës. Ato nuk janë fajtorë, por pengje të fajit të Edi Ramës. Ai duhet të mbajë përgjegjësi penale, për marrjen peng të qytetarëve kuksiane. Dhe për sa kohë kjo nuk ka ndodhur, opozita do të vazhdojë të jetë në krah të qytetarëve kuksiane. Edi Rama sot nuk është Kryeministri, por autokrati që kontrollon dhe ka privatizuar policinë, e cila mbi urdhrin e paligjshëm, mori peng qytetarët, dhe ktheu Tiranën në shtetrrethim.” tha Basha
Sipas kreut të PD-së, Rama ka marrë peng shtetin dhe kjo tregon se peshqit e mëdhenj nuk do të arrestohen.
Lidhur me lëvizjen e radhës të opozitës, dhe thirrjes për mosbindje civile, Basha paralajmëroi se ato do të rikthehen sërish të martën, duke qenë se në fundjavë janë Pashkët Ortodokse.
“Historia e njerëzve që u ngritën për bukën e gojës, tregon qartë se gjykata mori një vendim të paligjshëm me urdhër politik për të mbajtur në burg pengjet e fajit të Edi Ramës. Duhet të jenë kriminelët në burg, dhe jo qytetarët e thjeshtë. Ishte taksa e Edi Ramës që i shtyu qytetarët në revoltë për bukën e gojës. Duke nisur nga dita e martë, në bashkërendim me sipërmarrjen, me të gjithë qytetarët shqiptarë, do të vazhdojmë të jemi në krah të tyre, me demonstratën dhe mosbindjen civile që do të shtrihet në të gjithë vendin. “ tha ai