70 vjet nga hyrja në fuqi e Planit Marshall
Në 70 vjetorin e hyrjes në fuqi të Planit Marshall, diplomatë dhe akadamikë amerikanë dhe evropianë, vlerësuan kontributin e tij për rindërtimin e Evropës dhe folën për mësimet e tij për ditët e sotme. Më 3 prill 1948, Presidenti Harry Truman nënshkroi në ligj Programin për Rimëkëmbjen Evropiane, që jepte mbi 13 miliardë dollarë për rindërtimin e kontinentit.
Plani ishte paraqitur disa muaj më herët nga Presidenti Truman.
“E konsideroj të një rëndësie të jashtëzakonshme që Kongresi të autorizojë mbështetjen për Programin për Rimëkëmbjen e Evropës për periudhën 1 prill 1948 deri më 30 qershor 1952”, u shpreh ai ndërsa i kërkoi Kongresit që të vepronte “me urgjencë për këtë masë jetike për politikën tonë të jashtme për këtë kontribut vemdimtar për paqen botërore”.
Programi njihet gjerësisht me emrin e gjeneralit George C. Marshall, që ishte në atë kohë Sekretar Shteti.
“Amerika ka ofruar të ndihmojë në mënyrë të konsiderueshme të gjitha vendet e lira, paqedashëse të Evropës që kanë vullnetin të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në një program të gjerë të rindërtimit ekonomik”, tha gjenerali Marshall ndërsa e shpaloste këtë Plan në një fjalim në Univeristetin Harvard. Ishte diçka e papritur që ai zgjodhi pikërisht atë rast për të folur për të.
Plani Marshall kishte si synim rindërtimin e një kontinenti që ishte rrënuar nga lufta dhe ishte në prag të urisë, pas gjashtë vjetësh luftë për përmbysjen e nazizmit. Ai e siguronte Evropën për mbështetjen amerikane, jo vetëm si akt altruizmi por për të frenuar përhapjen e komunizmit në atë kontinent, shkruan VOA.
Në një diskutim për 70 vjetorin e nënshkrimit të tij në ligj nga Presidenti Truman organizuar Qendra Amerikane për Diplomacinë dhe Fondacioni “George C. Marshall”, Dan Hamilton, Profesor i Fondacionit për Planin Marshall Austriak, tha se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës janë karakterizuar gjithmonë nga cikle angazhimi dhe tërheqjeje. Ai tha se suksesi i Planit Marshall tregoi se vetëm ndihma financiare ishte e pamjaftueshme, për të ruajtur interesat dhe vlerat e Amerikës.
“Amerika do të mbështeste financiarisht rimëkëmbjen e Evropës, Amerika do të qëndronte në krah të Evropës, por vendet evropiane duhet të punonin së bashku për të projektuar rrugën drejt së ardhmes”, tha ai.
Por zoti Hamilton tha se nuk ishin paratë që e bënë Planin dhe trashëgimia e tij e vërtetë ishte ajo për një të ardhme më të mirë për Evropën”.
Për studiuesin Benn Steil, autor i librit “Plani Marshall: Agimi i Luftës së Ftohtë”, 70 vjet nga inaugurimi i Planit Marshall, ndoshta trashëgimia e tij më e qëndrueshme është dëshira e pashtershme për ta përsëritur atë dhe se fakti që kjo nuk është realizuar, flet për rrethanat e pashembullta historike në kohën kur filloi Plani Marshall.
“Filozofia në themel të saj ishte se siguria ekonomike dhe fizike e Amerikës varej nga ekzistenca e aleatëve të fortë dhe të pavarur që të mos ishin koloni apo vasalë apo të varur ekonomikisht, por aleatë të fortë dhe të pavarur dhe kjo ishte jetike në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të mbronin interesat e tyre ekonomike dhe të sigurisë, jo thjesht me forcë ushtarake”, tha ai.
Sfidat transatlantike 70 vjet pas Planit Marshall
Por zoti Hamilton tërhoqi vëmendjen se sot nuk duhet rënë në vetëkënaqësi, sepse Evropa nuk është ende e bashkuar, e lirë dhe në paqe, duke e vënë theksin tek zona e trazuar që shtrihet në Lindje dhe në Juglindje ku siç tha ai, njerëzit thjesht nuk e dinë se ku ta shohin të ardhmen e tyre, në një kohë kur bashkimi me perëndimin ishte i paqartë, pasi ai përballet me sfida të shumta.
“Kur Evropa është e ndarë, Amerika humb. Përvjetori i sotëm, duhet të na detyrojë të kemi nderin dhe detyrimin që na ka përçuar Harry Truman, George C. Marshall dhe Kongresi amerikan, që të sigurohemi që të mos ketë më zona gri të Evropës. Pavarësisht nga turbullirat transatlantike, Amerika duhet të qendojë me Evropën, por ashtu si në ditët e Marshallit, Evropa duhet të udhëheqë”, tha ai.
“Paratë janë të rëndësishme, por në fund të fundit ajo që ka më shumë rëndësi është aftësia për t’i përdorur burimet për një vizion, që lë mënjanë ndasitë në partneritetin tonë dhe vullnetin për ta zbatuar atë vizion”, shtoi zoti Hamilton, i Qendrës për Marrëdhëniet Transatlantike në Universitetin Johns Hopkins.
Ndërsa histriani Steil tha se ka një mësim më të gjerë historik:
“Ne e kujtojmë Planin Marshall sepse ishte vizionar, por ishte gjithashtu kokëfortë. Dhe unë dua të argumentoj me forcë se kjo ishte arsyeja që ishte i suksesshëm. Po të kishim vendosur si objektiv për sukses për shembull përfshirjen e Rumanisë dhe Çekosllovakisë në Planin Marshall, do të kishim dështuar sepse do të na ishte dashur të shkonim në luftë për ta arritur këtë dhe një nga ambicjet e Planit Marshall ishte që të mos hynim përsëri në luftë”.
Zoti Steil, Drejtor i Ekonomisë Ndërkombëtare në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, e bëri këtë vëzhgim duke e vënë në kontekstin e e marrëdhënieve të mëpasshme të Shteteve të Bashkuara me ish-Bashkimin Sovjetik dhe Rusinë, që ai argumenton se pësuan goditje nga synimi për zgjerim i organizatave transatlantike, sidomos NATO-s drejt Lindjes.
“Akte të mëdha të aftësisë politike i kanë bazat në realizëm dhe jo vetëm idealizëm dhe besoj se ky është një mësim që duhet ta rimësojmë”, tha ai.
SHBA: Evropa nuk duhet të presë nga Amerika të bëjë më shumë se vetë ajo për sigurinë e vet
Në aktivitet foli edhe Ndihmës Sekretari Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wes Mitchell, i cili tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kontribuojnë në aleancën me Evropën, por theksoi se “aleatët tanë duhet të kenë vullnetin të bëjnë më shumë”.
“Nuk duhet të pritet nga Amerikanët që të interesohen dhe të paguajnë më shumë për sigurinë e Evropës sesa vetë udhëheqësit e Evropës. Nuk duhet të pritet nga ne që të jemë më shumë kundër tubacioneve të gazit që e bëjnë Evropën më të ekspozuar ndaj ndërprerjeve të furnizimeve në dimër sesa vetë evropianët. Dhe nuk duhet të pritet nga ne që ta marrim më seriozisht rrezikun në rritje në kufijnë jugorë dhe lindorë të Evropës sesa vetë Evropianët”.
Ai tha se Amerika dhe Evropa duhet të tregohen të përgjegjshëm për të punuar së bashku për t’u përballur me sfidat e përbashkëta.
“Ceremoni si e sotmja janë kujtesë për të dyja anët e Atlantikut se kohezioni i aleancës ka një vlerë të paçmuar, por edhe që duhen sakrifica për ta ruajtur”.
Në Planin Marshall përfshiheshin Austria, Belgjika, Danimarka, Franca, Gjermania Perëndimore, Britania e Madhe, Greqia, Islanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Suedia, Svicra dhe Turqia. Shpallja e strategjisë për rimëkëmbjen e Evropës u quajt si Doktrina Truman. Studiuesit theksuan se suksesi i Planit ishte falë efektit psikologjik që Amerika nuk do ta linte mënjanë Evropën por edhe falë objektivit të tij që të mos synonte hyrjen përsëri në luftë.