Patozi, Ramës: Je kali i kapur duke shirë lëmin. Zgjidhe një herë e përgjithmonë çështjen e tarifës për Rrugën e Kombit.
Përmes një statusi në faqen e tij të ‘Facebook’ ish-deuteti i PD-së Astrit Patozi, i këshillon Ramës që të mos luajë me ndjeshmërinë e protestuesve kuksianë dhe as të shqiptarëve të tjerë të revoltuar. “Ti je kali i kapur duke shirë lëmin”, thotë Patozi.
Ai e këshillon kryeministrin Rama që ta mbledhë qeverinë dhe të zgjidhë një herë e përgjithmonë çështjen e tarifës për Rrugën e Kombit.
Ja Reagimi i Patozit:
“Kam vetëm një kërkesë në adresë të kryeministrit në vështirësi frymëmarrjeje sot:
Mos luaj me ndjeshmërinë e protestuesve kuksianë dhe as të shqiptarëve të tjerë të revoltuar, jo vetëm për shkak të tyre, por mblidhe qeverinë dhe zgjidhe një herë e përgjithmonë çështjen e tarifës për Rrugën e Kombit.
Mos kujto asnjëherë se do të shpëtosh duke nxjerrë qitapet e vitit 2011 apo ato të kohës së Haxhinastos.
Nuk kanë më asnjë vlerë, sepse sot je ti kali i kapur duke shirë lëmin.
Dhe pasi ta zgjidhësh, përpiqu të kuptosh se nuk je, as i fortë dhe, as i pamposhtur, që ta kesh për tjetër herë, sepse këtu do të jemi prapë.
Bëje mundësisht përpara se të lirohen ata “vandalët” e arrestuar, se çdo orë që kalon ta rrit faturën jo vetëm politike të kësaj afere.
Dhe mbaje vath në vesh një herë e mirë që arroganca dhe karshillëku në rritje i pushtetit nuk janë asnjëherë forcë, por vetëm dobësi.
Zakonisht, ato janë nisja e rënies së pandalshme për çdo qeveri të korruptuar”, përfundon Patozi