Mbrojtja sociale, Shqipëria me përqindjen më të lartë të sigurimit të pensionit në rajon
Kombinimi i skemave kontributive dhe jokontributive është forma më mbizotëruese e organizimit të sistemeve të pensioneve në botë: 102 vende shfaqen si kontributore, sipas raportit më të fundit të Mbrojtja Sociale, 2017-2019, Organizata Botërore e Punës.
Europa dhe Azia Qendrore kanë arritur mbulim relativisht të gjerë për pensionet e pleqërisë. Mesatarisht, 95,2 për qind e personave të moshuar mbi moshën e pensionit marrin pension. Pavarësisht nga kjo prirje e përgjithshme pozitive, disa vende ende përballen me sfida në shtrirjen e mbulimit të pensioneve, veçanërisht në Azinë Qendrore dhe Perëndimore, ku mbulimi efektiv aktualisht qëndron mesatarisht 82 për qind.
Sfiduese për sigurimin e mbulimit të pensioneve të personave të moshuar shihet veçanërisht Europa Juglindore. Sipas raportit, në Shqipëri 77% e të moshuarve pas përmbushjes së moshës, janë të mbuluar me një pagesë pensioni. Sipas një krahasimi rajonal, kemi mbulim më të gjerë se sa fqinjët tanë ballkanas. Në nivelin më të ulët ndodhet Bosnja e Hercegovina, me një mbulim prej 29.6% të të moshuarve, në Serbi, kemi të bëjmë me 46.1%, në Malin e Zi pak më shumë se gjysma e të moshuarve me 52.3%. Situata përmirësohet në Kroaci me 57.6% të mbulimit të të moshuarve me pension, në Maqedoni me 71.4%. Në fund të listës për përllogaritjet e raportit në Europë e Azinë Qendrore qëndron Turqia me 20%, ndërsa kryesojnë të gjitha shtetet e Eurozonës me mbulim 100%.
Shumica e vendeve ku të gjithë personat e moshuar aktualisht marrin pensione të sigurimeve shoqërore janë të vendosur në Europën Veriore, Jugore dhe Perëndimore, por ka edhe disa shembuj pozitivë në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore dhe Perëndimore me mbulimin universal të pensioneve të pleqërisë (p.sh. Çekia, Kirgistani dhe Sllovakia).
Mbulesa universale e moshës së vjetër në këto 29 shtete mbështetet në lloje të ndryshme programesh. Për shembull, Holanda, Polonia dhe Rumania mbështeten kryesisht në skemat kontribuuese të pensioneve, ndërsa vendet e tjera plotësojnë skemat e tyre kontribuuese me një skemë jokontribuuese, që mbulon ose të gjithë personat e moshuar (p.sh. Danimarkë) ose vetëm ato nën një prag të ardhurash (p.sh. Belgjika, Izraeli dhe Malta).Monitor