AktualitetBota+PolitikëTë fundit

Maqedoni, takimi i ardhshëm Dimitrov- Koxias, kyç për procesin e negociatave

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë  Nikolla  Dimitrov,  dhe homologu i tij i Greqsië, Nikos Koxias do të takohen javën që vjen.

Mediat greke shkruajnë se ky takim do të ndodh më 12 prill dhe do të jetë kyç për procesin e negociatave për kontestin bilateral.

Sipas tyre, nëse ka përparim në negociata, nuk përjashtohet edhe takim i ri mes kryeministave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras.

Takimin  e dy ministrave respective e ka konfirmuar edhe lideri i partisë greke REKA, Stavros Theodhorakis, i cili u dje u takua me Koxiasin për t’u informuar për rrjedhën e negociatave për çështjen e emrit.

Ai në një intervistë për televizionin grek ERT ka deklarua se Koxiasi e ka informuar se javën tjetër do të ketë takim të ri, ndërsa nëse gjërat shkojnë mirë, rasti do të kalojë në duart e dy kryeministrave.

“Kam thënë se ka shumë gjasa që prilli ta jep zgjidhjen. Më 12 të këtij muaji, siç më ka informuar zotri Kocias, do ta ketë takimin vijues të rëndësishëm me ministrin e Punëve të Jashtme të IRJM-së dhe nëse ky takim kalon mirë, kuptoj se rasti do të shkoj në duart e dy kryeministrave”, deklaroi Stavros Theodhorakis.

Ai tha se qëndrimi i partisë së tij është zgjidhje e cila paralelisht do të sjellë edhe detyrim juridik për mënjanimin e irredentizmit.

“Ne dëshirojmë zgjidhje për emrin dhe njëkohësisht detyrime konkrete juridike për çlirimin e fqinjëve nga dispozitat dhe qëndrimet irredentiste edhe në Kushtetutë edhe në tekstet shkollore, sepse është e rëndësishme se si edukohen fëmijët. Këtë ia thash Koxiasit”, tha Stavros Theodhorakis.

Por data e takimit nuk është konfirmuar  ende zyrtarisht nga ministritë e Jashtme të dy vendeve.

Ndërkohë, Koxias pas raundit të fundit të bisedimeve në Vjenë, ka thënë se shpreson që në takimin e radhës të bëhet një hap i madh.