Izrael, Netanyahu pezullon planin e ri për zhvendosjen e emigrantëve
Azilkërkuesit afrikanë në Izrael kanë shprehur shqetësim lidhur me marrëveshjen e Tel Avivit me OKB-në për të rivendosur gjysmën e tyre në vendet perëndimore.
Një numër emigrantësh afrikanë dhe azilkërkues thanë se mbeten skeptikë se plani i ri mund të sjellë ndonjë ndryshim të vërtetë për ata që do të qëndrojnë në Izrael.
Të hënën zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se Izraeli kishte arritur një mirëkuptim të paparë me Kombet e Bashkuara për të ndihmuar rivendosjen e të paktën 16,250 emigrantëve afrikanë në “vendet e zhvilluara si Kanadaja, Gjermania dhe Italia”, në vend të Afrikës.
Një orë pas njoftimit, Netanyahu tha se do të pezullonte planin e ri, i cili u denoncua nga të djathtët në qeverinë e tij.
Netanyahu shkroi në një postim në Facebook të hënën natën se ai po e vinte marrëveshjen në pritje derisa të takohej me përfaqësues nga jugu i Tel Avivit, ku jetojnë një numër i madh i azilkërkuesve afrikanë, së bashku me Ministrin e Brendshëm Arye Dery.
Çështjet u bë më konfuze, kur ambasada gjermane në Izrael dhe ministria e jashtme italiane, raportuan në media se ata nuk ishin në dijeni të pranimit të ndonjë kërkese lidhur me azilkërkuesit.
Marrëveshja e re do t’u lejojë atyre që qëndrojnë në Izrael, kryesisht gratë dhe fëmijët, që të jenë në gjendje të aplikojnë për azil.
“Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, të gjithë do të marrin një vizë në mënyrë që ata të jenë në gjendje të qëndrojnë në Izrael me një status ligjor dhe kjo është shumë e rëndësishme,” tha William Spindler, zëdhënës i UNHCR-së për Al Jazeera pas njoftimit të marrëveshjes.
“Ata do të jenë në gjendje të kërkojnë azil nëse kanë frikë nga persekutimi në vendet e tyre të origjinës; rastet e tyre do të duhej të vlerësoheshin.
“Ajo që duhet të kujtojmë është në rastin e Eritreanëve për shembull, një përqindje shumë e lartë e tyre njihen si refugjatë në Evropë, mbi 90 për qind,” tha Spindler.
“Në rastin e sudanezëve, përqindja e tyre është gjithashtu shumë e lartë. Pra, ne mendojmë se shumica e këtyre azilkërkuesve do të kualifikohen për statusin e refugjatit ”