Basha thirrje shqiptarëve: Mos paguani taksa! Rama s’na arreston dot të gjithëve
Lulzim Basha thotë se, janë dy arsye që po i çojnë shqiptarët në protestë. E para, deklaroi ai, është grabitja dyfish e shqiptarëve.
“Rama i grabit dyfish shqiptarët dhe pastaj u bie dyfish me kërbaç. Reagimi në Kukës dhe në mbarë Shqipërinë është kundër padrejtësëisë dhe grabitjes.
Nuk shpenzon asnjë cent nga 800 mln euro që ka mbledhur në 5 vite nga taksa e qarkullimit që e ka rritur, por e jep atë me koncesion. Ata që u çuan u çuan për bukën e gojës”,- deklaroi Basha në një dalje për gazetarët.
Së dyti, Basha rendit padrejtësinë e dyfishtë.
“Kjo është arsyeja e revoltës së njerëzve të thjeshtë dhe është revoltë e të gjithë shqiptarëve që po thonë njëzëri se ndihen kuksianë. Edi Rama mbledh taksat, por nuk i çon për arsyet që duhen, shkolla e rrugë, por për milionat që merr Vilma Nushi dhe Arben Ahmataj. Ahmetaj me paratë e shqiptarëve do sjellë plehrat e Italisë. Mashtrimet e Edi Ramës dhe sejmenëve të tij janë prej frikës që i ka kapur. Rama i grabit dyfish shqiptarëve dhe pastaj ju bie dyfish me kërbaç”, deklaroi Basha, duke dënuar sjelljen e kreut të qeverisë.
Më tej kreu i opozitës nënvizoi se shqiptarët nuk duhet të paguajnë taksa dhe i bëri thirrje kryeministrit Rama që të tërheqë policinë nga Kukësi dhe të lirojë të arrestuarit.
“Mosbindje civile. Mos paguani taksat Nuk ka çfarë të bëjë. Nuk e arreston do të gjithë popullin. Kjo është rruga për t’i bërë ballë padrejtësisë së dyfishtë. Në të gjitha rrugët dhe mënyrat opozita do jetë krah qytetarëve. Të tërheqë menjëherë policinë nga Kukësi. Të lirojë të arrestuarit. Të arrestojë Saimir Tahirin, Agron Xhafajn dhe Habiljat. Mos të merret me njerëzit e thjeshtë”, deklaroi Basha.
Mos paguani taksat, kjo është rruga për t’iu kundërvënë grabitjes së dyfishtë dhe padrejtësisë së dyfishtë. Nuk e arreston dot të gjithë popullin”,- mbylli fjalën e tij Lulzim Basha.