23 të arrestuarit e protestës në Rrugën e Kombit, gjykohen nesër
Gjykata e Kukësit e ka shtyrë sot dhënien e vendimit për masat e sigurisë për 23 të arrestuarit e protestës në Rrugën e Kombit, e cila degjeneroi në dhunë e përleshje.
Mësohet se seanca gjyqësore do të mbahet të mërkurën në orën 09:00 paradite, ka thënë Isuf Shehu, kryetari i gjykatës së Kukësit.
Sipas tij, nuk po tejkalohen afatet për dhëninen e masës së sigurisë, pasi dosja e prokurorisë ka mbërritur vetëm sot rreth orës 9:30 dhe kështu gjykata ka kohë edhe 48 orë për ta shqyrtuar atë.
Transferimi në Tiranë i 23 të arrestuarve për protestën kundër tarifës së Rrugës së Kombit, është bërë në në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Zyrtarisht Policia e Shtetit ka argumentuar se transferimi i tyre është bërë për mungesë kapaciteti në Drejtorinë e Policisë Vendore në Kukës, ku duhej të mbaheshin në izolim.
Sipas Policisë, godina e policisë atje nuk ka ambiente dhe hapësirë të mjaftueshme për të mbajtur të ndaluarit.