Mbikëqyrja, për personat e rrezikshëm nëpërmjet byzylykut elektronik
Shërbimi i Provës raportoi se në vitin 2017 të paktën 113 persona u mbikëqyrën në mënyrë elektronike. Kjo shifër ka ardhur në ulje në raport me vitin paraardhës kur ky numër ishte 187 por nuk kanë pësuar të njëjtin trend shpenzimet për këtë zë që ka regjistruar një kosto për njësi dukshëm më të lartë në vitin 2017. Referuar shifrave zyrtare rezulton që kosto për njësi për vitin 2017 në lidhje me mbikëqyrjen elektronike ishte 1.1 milionë lekë kurse në vitin 2016 kjo kosto ishte të paktën 45 për qind më e vogël.
Çfarë është mbikëqyrja elektronike
Shqipëria ashtu si shumë vende në botë aplikon mbikëqyrjen elektronike në fushën penale. Kjo zbatohet nga Shërbimi i Provës një institucion nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë. Sipas informacionit zyrtar mbikëqyrjen elektronike e kërkojnë gjykata ose prokuroria “për persona të mitur apo të rritur të cilët paraqesin rrezikshmëri të ulët shoqërore dhe personat të cilët akuzohen për një vepër penale që dënohet jo më shumë se me 5 vjet burgim. Personi duhet të japë pëlqimin për t’u vënë në mbikëqyrje elektronike përveç se në rastet kur parashikohet në ligj”
Si funksionon procesi
Mbikëqyrja elektronike funksionon nëpërmjet një byzylyku elektronik (njësia personale) dhe një njësie qendrore (njësia e shtëpisë).
Byzylyku vendoset mbi kyçin e këmbës së personit dhe mbahet nga personi në çdo moment. Ai ka peshë të lehtë, është rezistent ndaj goditjeve dhe ujit gjë që bën të mundur vazhdimin e aktiviteteve normale të përditshme pa u penguar nga pajisja.
Njësia qendrore (njësia e shtëpisë), vendoset në shtëpinë e personit dhe merr sinjale në çdo kohë nga byzylyku elektronik, informacion i cili përçohet drejt sallës operative nga ku bëhet mbikëqyrja elektronike. Nëse personi largohet nga zona e lejuar, komunikimi mes këtyre dy pajisjeve shkëputet. Në këtë moment, sinjalizohet salla operative për ndodhinë. Procesi i anasjelltë vlen për hyrjen në zonën e ndaluar. Sinjale të tjera që i dërgohen sallës operative sipas rastit janë ato kur pajisja dëmtohet, tentohet të hiqet, lëvizet, apo nëse nuk është e lidhur me energjinë elektrike.
Në rast se qëllimisht apo pa dashje shkelen kushtet e mbikëqyrjes elektronike personi rrezikon që t’i revokohet kjo mbikëqyrje duke e zëvendësuar me një mënyrë tjetër dënimi.monitor