Lulzim Basha, i nis kryeministrit Rama, mesazh nga Shkodra
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, i ka dërguar një mesazh kryeministrit Edi Rama nga Shkodra, pikërisht nga ceremonia e përkujtimit të 2 Prillit të vitit 1991.
“I them sot nga Shkodra se i ka bërë hesapet gabim, i them sot se ajo që nisi në Kukës nuk do ndalet dhe s’ka për të ndalur deri sa tirania e krimit të rrëzohet. 5 ditë më parë e sfidoi popullin me fjalorin e tij të ndyrë, populli i Kukësit i dha përgjigjen e merituar. Nuk mundet të pranojnë kërbaçin e haraçin e një grupi njerëzish që pasurohen në kurriz të tyre”, tha Basha.
“S’ka rrugë tjetër për ta larguar të keqen përveçse përballjes me të. Kukësi u përball dhe e ndali të keqen. Së bashku, me Kukësin do ta zmbrapsim atë. Le të jetë një fillim i mbarë i pranverës që po vjen. Detyra e madhe e PD dhe njerëzve të thjeshtë dhe të ndershëm është të shkëpusim lidhjet e politikës me krimin. Një PD e çliruar nga korrupsioni, nga oligarkët, ka vetëm një interes, interesin e shqiptarëve”, shtoi ai.
“Zotohem dhe i ftoj të zotohemi të gjithë së bashku në këtë altar të lirisë sot se gjithë çfarë kemi denoncuar si opozitë, as do i falim as nuk do i harrojmë kur të vijë ora e përgjegjësisë së pushtetit. S’do falim askënd që ka vjedhur dhe grabitur, s’do ketë pushtetar, nga kryeministri deri te punonjësit e thjeshtë të administratës që s’do japë llogari për vjedhjet e grabitjet që i janë bërë vendit, kushtetutës dhe ligjit”, u shpreh Basha.