Hakan Çavuşoğlu: Kapja terroristëve, shpëtuam Kosovën nga një rrezik dhe kërcënim i madh
Zëvendëskryeministri i Republikës së Turqisë Hakan Çavuşoğlu tha se operacioni i Agjencisë Turke të Inteligjencës (MIT) dhe kapja e gjashtë terroristëve të FETO-s në Kosovë është një gjë shumë e mirë për të ardhmen dhe sigurinë e Kosovës dhe se edhe zyrtarët kosovarë duhet ta konsiderojnë këtë gjë nga ky këndvështrim.
“Situata që ndodhi në Kosovë është një e mirë e madhe që Turqia e bëri për sigurinë dhe të ardhmen e Kosovës. Vlerësojmë se do të ishte mirë që edhe kryeministri i Kosovës dhe zyrtarët e tjerë ta shohin këtë gjë nga ky këndvështrim. Pra, ajo që ndodhi nuk ishte vetëm kapje e terroristëve dhe sjellje para drejtësisë turke, por në të njëjtën kohë edhe shpëtim i Kosovës nga një rrezik dhe kërcënim i madh. Këtë do ta kuptojnë më mirë me kohë”, tha Çavuşoğlu në një takim me gazetarët në qytetin e Bursës.
Duke vënë në dukje se organizata terroriste e FETO është aktive në Ballkan, Çavuşoğlu tha se një operacion i suksesshëm u krye në Kosovë, në të cilin pjesëtarët e FETO-s janë veçanërisht aktivë. Ai po ashtu tha se terroristët e FETO-s do të ndiqen kudo që gjenden në botë.
“Gjashtë terroristë u kapën dhe dorëzuan si rezultat i një pune të përbashkët. Jo vetëm në Ballkan, por ne do t’i ndjekim, kapim dhe dorëzojmë para drejtësisë së Turqisë në cilindo vend të gjenden. Këta terroristë, organizata terroriste FETO tentoi të kryejë grusht shteti në Turqi, ku ne kishim 251 dëshmorë dhe 2.194 të plagosur”, tha Çavuşoğlu.
Ai potencoi se prapa FETO-s qëndron një forcë dhe mendje tjetër, duke shtuar kjo mendje mund të infiltrohet në shtetet ku vepron, ashtu siç ka bërë në Turqi brenda 40 viteve.
“Kjo vlen edhe për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Greqinë, Mongolinë dhe madje edhe shtetet e Amerikës Jugore. Ne tanimë e dimë se ata janë një organizatë terroriste e cila është vënë në veprim për të paralizuar një shtet dhe, nëse është e nevojshme, për ta marrë kontrollin e tij, duke u vendosur në organet strategjike shtetërore nën petkun e arsimit dhe tolerancës”, tha zëvendëskryeministri i Turqisë.
Çavuşoğlu tha se Turqia vazhdon t’ua shpjegojë shteteve të tjera rrezikun që kanoset nga FETO.
Ai tha se nga shumë shtete kanë kërkuar transferimin e shkollave të FETO-s nën kompetenca të tyre përmes Fondacionit Maarif të Turqisë./ Anadolu Agency (AA)