Familjarë të banorëve të Kukësit të arrestuar për protestën, para Drejtorisë së Policisë të Tiranës
Familjarë të banorëve të Kukësit të arrestuar për protestën në Rrugën e Kombit, sot kanë bllokuar aksin para drejtorisë së Tiranës, ndërsa kërkojnë lirimin e 23 personave të arrestuar.
Personat e arrestuar ndodhen në dhomat e paraburgimit, ndërsa i sollën në Tiranë, pasi në policinë e Kukësit nuk ka kapacitet.
Fillimisht protestuesit qëndruan në trotuar, por policia ka kërkuar zhvendosjen, me justifikimin se bllokojnë kalimin e qytetarëve të tjerë. Kjo është bërë shkak për bllokimin e qarkullimit normal të makinave.
Në mbështetje të tyre kanë dalë edhe deputetë të Partisë Demokratike, deputeti Balliu u shpreh se të ndaluarit nuk e kanë shkelur ligjin.
“Ka qenë një tubim i qytetarëve të Kukësit për një interes kombëtar. Kjo parti ka një problem historik me Rrugën e Kombit, sot vazhdojnë me trashëgiminë e tyre komuniste për të bllokuar rrugën që është për bashkëpunimin e shqiptarëve me kosovarët. Këto arrestime janë arrestime politike të një mentaliteti komunist. Ky është i vetmi kryeministër që rrogat i jep me lekë dhe i takson me euro”.
Ai tha se: “Unë kam qenë vetë në Kukës dhe ka pasur provokime nga policia e Shtetit në Kukës, siç po kërkon edhe këtu të bëjmë një hap prapa”.
Një ditë më parë, kreu i PD-së Lulzim Basha doli në konferencë për shtyp për të ripërsëritur kërkesën për lirimin e personave të arrestuar nga policia në Kukës.