Basha: Vendim unanim, mosbindje qytetare
Kanë zhvilluar sërish sot një mbledhje të përbashkët të grupeve parlamentare në selinë e Partisë Demokratike, partitë opozitare, nga ku është marrë vendimi për t’i qëndruar në krah qytetarëve dhe organizmin e mosbindjes civile.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes, kreu i PD, Lulzim Basha tha se nga takimi i zgjeruar i strukturave drejtuese të partive opozitare ka një vendim unanim dhe ai është: “Në krah të qytetarëve shqiptarë”.
Sipas Bashës “në këtë vend nuk ka demokraci” dhe natyrisht s’kanë mbetur më për rregulla dhe lojë demokratike”.
“Hapësira e vetme për ti qëndruar në krah qytetarëve është mosbindja civile dhe kjo nis që këtë javë. Me refuzimin e të gjitha taksave dhe të gjitha hapat e mosbindjes qytetarë kundër klikës që po asgjëson shpresën dhe po zbraz Shqipërinë. Ky është vendim unanim dhe që nis që sonte organizmi për mosbindje civile”, theksoi Basha.
Basha shtoi: “Në krah të njerëzve të thjeshtë që po vidhen dhe dhunohen nga banda në pushtet. Në krah të kuksianëve. Në krah të gjitha shqiptarëve që goditen ma taksa të reja të pronës banesat. Me heqjen e dhjetëra mijëra familjeve nga ndihma ekonomike. Kush kujton se e lëshuam këtë kauzë pas seancës parlamentare e ka gabim. Shkaktari është Edi Rama që udhëheq në mënyrë jo legjitime. Po iu shet Shqipërinë copa-copa disa oligarkëve, duke ju marrë shpirtin njerëzve të thjeshtë”.
Sipas kreut të opozitës, mosbindja civile do të jetë e të gjitha formave dhe mënyrave.
“Kur flasim për mosbindje civile dhe mospagim taksash flasim për t’i bërë thirrje çdo qytetari që të refuzojë çdo taksë koncensionare. Çdo taksë të rritur nga Edi Rama. Opozita do të jetë e pranishme në ballë të çdo organizmi për ta bërë mosbindjen civile formë për të rrëzuar këtë bandë qeveritare. Tani për tani vëmendja jonë është për ti dalë në krah njerëzve. Nuk ja dalin dot më njerëzit, ndaj kanë dalë në protestë, jo për flamur partie”, argumentoi Basha.
Ndërkohë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha se “mosbindja qytetare do të thotë të heqësh dorën e Edi Ramës nga xhepi i shqiptarëve”
“Do të thotë të ndihesh qytetar e shqiptar, dhe t’i thuash ik Edi Ramës që çdo ditë ja mori shpirtin qytetarëve”, theksoi ajo.
“Ju bëj thirrje ju gazetarëve që të bëheni pjesë e mosbindjes civile. Edi Rama çdo ditë e më shumë po instalon diktaturën e krimit dhe drogës. Ata heronj të Shqipërisë janë mësim edhe për ne opozitën. Gratë dhe vajzat e shqiptarëve do të jenë në mbrojtje të heronjve që i dhanë dinjitet vendit me protestën e tyre”, theksoi Kryemadhi.
Kryemadhi i konsideroi protestuesit e Kukësit heronj, që shërbejnë si mësim edhe për vetë opozitën.