Qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile, soidaritet me protestuesit e Kukësit
Protesta e nisur në orët e para të së dielës përballë Komisariatit të Policisë së Kukësit është zhvendosur në orët e mbrëmjes në Tiranë. Dhjetra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile janë mbledhur para drejtorisë së Policisë së Tiranës për të kërkuar lirimin e personave të arrestuar në Kukës për përleshjet e shkaktuara të shtunën gjatë protestës në Rrugën e Kombit.
Ndërkohë, protestës së qytetarëve kuksianë para komisariatit të qytetit të Kukësit u është bashkuar edhe biznesi vendas.
Përmes një deklarate për shtyp, shoqata Biznesi për Biznesin kërkon lirimin e personave të ndaluar nga policisë dhe shpreh shqetësimin se protesta kundër pagesës në Rrugën e Kombit po përdoret për të frikësuar dhe persekutuar qytetarët e Kukësit.
Shoqata bën thirrje që të shmanget dhuna dhe ripërsërit qëndrimin e saj kundër tarifës së vendosur për të kaluar në Rrugën e Kombit.
“Kemi argumentuar që kjo taksë është e padrejtë, sepse paguhet. Rruga është ndërtuar me fonde publike dhe jo private”, thonë përfaqësuesit e shoqatës.