Kukës, 23 persona të ndaluar, dyshohet se janë përfshirë në përplasjet me forcat e policisë
Policia e Kukësit ka ndaluar 23 persona, të cilat dyshohet se janë të përfshirë në përplasjet me forcat e policisë në protestën e mbajtur dje kundër tarifave në “Rrugën e Kombit”.
Në një njoftim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, thuhet se janë ekzekutuar urdhër-ndalimet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës për 23 shtetas, banorë të Kukësit.
“Ndalimi i tyre u bë pasi gjatë protestës së zhvilluar më datë 31 mars në Rrugën e Kombit, pranë Tunelit të Kalimashit, te kabinat e kalimit me pagesë të automjeteve, kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, si dhe kanë shkatërruar me zjarr kabinat”, thekson njoftimi.
Për të ndaluarit vazhdojnë hetimet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.
Qytetarë të Kukësit dhe zonave përreth protestuan dje pranë Tunelit të Kalimashit në “Rrugën e Kombit”, duke kundërshtuar tarifën për kalimin e automjeteve, protestë që u përshkallëzua me përplasje dhe dhunë midis protestuesve dhe policisë dhe iu vu zjarri objekteve të sporteleve ku është planifikuar të bëhet pagesa për kalimin e automjeteve, duke i dëmtuar.
Gjatë protestës mbetën të plagosur 13 punonjës të policisë dhe disa qytetarë.
Tarifa e përcaktuar është për motorët 2.5 euro dhe për veturat 5 euro. Por ajo kundërshtohet nga banorët e Kukësit dhe shoqatat e biznesit si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.