Ibrahimoviç, jo më shumë se 6 minuta për të treguar veten
Janë dashur vetëm 6 minuta që Zlatan Ibrahimoviç t’i bëjë të ditur botës se ka zbarkuar në tokën e premtuar.
Ndonëse kishte vetëm 48 orë që kishte shkelur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zllatan Ibrahimoviç nuk ka vonuar të tregojë se, përtej dëmtimeve dhe moshës, ai mbetet unik në llojin e tij.
Ashtu sikundër ishte i veçantë goli që ai shënoi në debutimin e tij me Los Anxheles Galaksi, skuadrën e tij të re në kampionatin amerikan të futbollit, MLS. Pasi e mbylli me Mançester United në Angli, gjigandi suedez pranoi një ulje të konisderueshme page, duke firmosur për skuadrën amerikane, por të shtunën ai ka dëshmuar se mbetet po i njëjti.
36-vjeçari ka vijuar ta kurorëzojë debutimin e tij me golin e dytë personal, dhe të 4-tin e Los Anxheles Galaksi, e cila ka përmbysur shifrat nga 0-3 dhe duke triumfuar në derbin me Los Anxheles FC me shifrat 4-3.