Stuata në Gaza: Civilët dhe fëmijët të mos jenë në shënjestër
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) mbajti seancën urgjente mbi zhvillimet e fundit në Gaza, ku ushtarët izraelitë vranë të premten 15 palestinezë.
Seanca e mbyllur u mbajt me kërkesë të Kuvajtit, anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Taye-Brook Zerihoun, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), paralajmëroi se situata në Rripin e Gazës mund të përkeqësohet në ditët e ardhshme dhe i bëri thirrje Izraelit që të përmbushë obligimet e tij në përputhje me të drejtat ndërkombëtare humanitare dhe të njeriut.
Në adresimin e tij para KS të OKB-së, Zerihoun shpjegoi se një numër i madh i pjesëmarrësve në “Marshin e Madh të Kthimit” ndodhej larg nga kufiri dhe se nuk ishin përfshirë në dhunë. Siç tha, disa demonstrues hodhën gurë.
Zerihoun paralajmëroi se situata në Gaza në ditët e ardhshme mund të përkeqësohet dhe bëri thirrje që civilët dhe fëmijët të mos jenë në shënjestër.
Përfaqësuesi i Përhershëm i Kuvajtit në OKB, Mansour al-Otaibi rikujtoi se mijëra palestinezë morën pjesë në demonstratat paqësore të organizuar me rastin e “Ditës së Tokës”.
Ai dënoi sulmet në të cilat më shumë se 15 palestinezë humbën jetën. Poashtu edhe diplomati amerikan Walter Miller shprehu pikëllimin e thellë për vdekjen e njerëzve në Gaza.
Shqetësim të thellë shprehu edhe Përfaqësuesi i Përhershëm rus në OKB, Vladimir Safronkov. Ai tha se ekziston një nevojë reale për përshpejtimin e përpjekjeve diplomatike për të ulur tensionet.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres në një deklaratë shprehu shqetësim të thellë rreth zhvillimeve në Gaza. Ai bëri thirrje për një hetim të pavarur dhe transparent të këtyre ngjarjeve.
Numri i palestinezëve që ushtarët izraelitë vranë në Rripin e Gazës, të premten, në “Ditën e Tokës”, ka arritur në 15 dhe rreth 1.400 palestinezë të tjerë janë plagosur.