AktualitetDialogPolitikëTë fundit

Rama, komunikim me shqiptarët: Nuk do ta lemë ‘Rrugën e Kombit’ të degradojë

Kryeministri Edi Rama ka ‘Komunikuar drejtpërdrejtë me shqiptarët’, sot  në një konferencë për shtyp, pas ngjarjeve të ndodhura në ‘Rrugën e Kombit’ dhe përplasjes mes policisë dhe protestuesve të Kuksit, që protestuan për mospagimin e tarifës së kalimit në rrugë.

Fjala e plotë e kryeministrit Rama:

“Të nderuar bashkëqytetarë!

Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, zjarri i sotëm dhe dhuna barbare e ushtruar mbi pronën e përbashkët dhe mbi investimin e kryer në bazë të ligjit, si dhe goditja e Policisë së Shtetit për të penguar dhunshëm zbatimin e ligjit në vendosjen e pagesës në aksin e Rrugës së Kombit janë krime të rënda. Ju siguroj se këto krime do të ndëshkohen me të gjithë rëndesën e forcës së ligjit. Kush e vuri atë zjarr, kush ushtroi vandalizëm mbi pronën publike dhe private dhe kush guxoi të ngrejë dorë mbi forcat e policisë, duke cenuar njëkohësisht rendin e sigurinë e shumë udhëtarëve, përmes bllokimit të dhunshëm të lëvizjes nga dy anët e kufirit, nuk do kenë asnjë shans t’i shpëtojë ndëshkimit të ligjit.

Ndërkohë, zjarrnxitëvse të kazanit politik të Tiranës, atyre që mjerisht nuk e udhëheqin, por e udhëpërmbysin çdo ditë opozitën shqiptare, duke e mbajtur atë peng nga frika e drejtësisë së re dhe duke e keqpërdorur përditë si një instrument kërcënimesh ndaj rrugës europiane të Shqipërisë iu them kaq: As populli i krejt Shqipërisë, as populli i vetë Kukësit nuk kanë asnjë lidhje me këtë shfaqje të ulët vandalizmi dhe po ashtu asnjë lidhje nuk kanë me dëshpërimin tuaj agresiv. Dhe përgjigjen prej Kukësit dhe prej të gjithë Shqipërisë, gjuha e benzinës dhe çizmja e dëshpërimit që tërheqin zvarrë opozitën do ta marrin mu ashtu siç e meritojnë, qershorin e ardhshëm, padiskutim edhe më shembullore sesa përgjigja e qartë që morën në qershorin e shkuar, qoftë në Kukës dhe qoftë në mbarë Shqipërinë.

Ndërsa të pangushëllueshmit kryetar pa kokë të opozitës, i cili doli pas zjarrit në mejdan dhe shpatën prej druri të aritmetikës së tij, duke ngatërruar 200 milionë dollarët që e vunë atë vetë nën akuzë për grabitje të Rrugës së Kombit me një 200 milionë dollarësh që, sipas tij, rri fshehur në arkën e shtetit dhe u dashka shpenzuar për mirëmbajtjen pa pagesë të Rrugës së Kombit, s’kam ç’i them, aq s’di, aq bën.

Të tërë bashkë, mbledhur në ballin e kazanit politik me votat e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, këta udhëpërmbysës të opozitës nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër, përveç asaj që kanë bërë gjithnjë, të tallen me pakicën dhe me pakicën e pakicës, për të nxitur rrëmuja e zjarrndezje kur janë në opozitë dhe për të bërë rrumpallë e hapur gropa në çdo fushë të jetës shqiptare sa herë janë në pushtet.

Këtë të vërtetë të hidhur për ta, por, fatkeqësisht, edhe për Shqipërinë e mbetur pa opozitën që meriton, e di mirë shumica dërrmuese e shqiptarëve të arsyeshëm, e cila vetëm rritet në numër dhe në vetëdijen se Shqipëria që duam nuk bëhet dot as me përralla, as me gënjeshtra, as me llogje parlamenti e lot krokodili në emër të popullit, por me reforma të thella, ndonjëherë të dhimbshme, me punë të palodhur dhe me durim e sakrifica jo të vogla.

Fati i politikës mizerabël të përrallave dhe shkatërrimit me benzinë në gojë e me çizme në dorë është i shkruar dhe mbetet vetëm ta lexojnë deri në fund.

Kukësi nuk mund dhe nuk do të kthehet kurrë në mish për zjarrin që duan të ndezin kartat e djegura të politikës së Tiranës. Për shumicën qeverisëse të këtij vendi dhe për mua si Kryeministër, vandalët që dhanë sot një shfaqje të neveritshme antishtet nuk janë Kukësi, nuk janë Tropoja, nuk janë Hasi, nuk janë Shqipëria. Nuk janë populli Kukësit dhe absolutisht, jo as ajo pjesë e nderuar dhe e respektuar e atij komuniteti që e konsideron të lartë pagesën e rrugës dhe prandaj kundërshton atë.

Me vandalët, ne do sillemi siç e meritojnë shkelësit e ligjit. Ndërsa me qytetarët që e kundërshtojnë pagesën, sepse e konsiderojnë atë të lartë, ne do sillemi siç na e do vizioni që kemi dhe detyra që mbajmë. Do të bashkëbisedojmë, do të dëgjojmë me vëmendje dhe do të shpjegojmë me durim të gjithë të vërtetat e shtrembëruara, apo të mohuara krejt prej gënjeshtarëve dhe sharlatanëve të kazanit politik dhe mediatik.

Kontrata parashikon e zeza mbi të bardhë, jo vetëm 120 mijë euro, çdo vit, kontribut të kompanisë për transportin e banorëve më në nevojë, por edhe karta të posaçme kalimi, abone, me një pagesë të reduktuar për çdo banor të zonës që është përdorues i shpeshtë i asaj rruge. Këto janë të shkruara në kontratë dhe të shpjeguara prej nesh në çdo debat publik të ditëve të fundit.

Ne jemi ulur me kompaninë, sipas parashikimit të kontratës, për t’i përcaktuar pagesat e posaçme mujore, disamujore, apo vjetore për përdoruesit e shpeshtë të rrugës. Kështu që të gjithë kundërshtuesit e pagesës aktuale në atë zonë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje dhe asnjë gisht me krimet e rënda të ditës së sotme, të jenë të qartë dhe të jenë të qetë që për përdorimin e shpeshtë të rrugës nuk do paguajnë njësoj si përdoruesit e tjerë të saj.

Brenda jo më shumë se 60 ditëve, ne do vazhdojmë të komunikojmë intensivisht, jo vetëm me kompaninë, por dhe me komunitetet e zonës dhe me të gjithë grupet e interesit, jo vetëm për t’u shpjeguar të gjithëve të vërtetën, por edhe për të bërë atë që kemi në plan, më të mirën e mundshme për përdoruesit e shpeshtë të rrugës, që banojnë në të gjithë zonën e Qarkut të Kukësit.

Ndërkohë që, pasi dje kryetari i Bashkisë së Kukësit më ka kërkuar me shkrim një takim për këtë temë, unë do të ulem me të qysh të hënën për të bashkëbiseduar, sigurisht duke shpresuar se deri të hënën, ai do të jetë distancuar jo nga kundërshtia për pagesën, por nga dhuna kriminale e ditës së stome.

Po ashtu, çdo këshilltar socialist i Bashkisë së Kukësit, që ka ngritur dorë qorrazi, apo me vetëdije për thirrjen e pseudoprotestës së ngjizur me urdhër nga Tirana për realizmin e shfaqjes së sotme të barbarisë së dhunshme, e ka humbur po sot, të drejtën që të jetë pjesë e familjes sonë politike, Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Rruga e Kombit u ka kushtuar shumë shtrenjtë shqiptarëve dhe sot, ajo rrezikon seriozisht të hyjë në fazën e një rrënimi pa kthim, nëse përdoruesit e saj nuk kontribuojnë për investimet mbrojtëse dhe mirëmbajtjen e përditshme, 365 ditë dhe net të vitit, në diell dhe në dëborë.

Kjo mirëmbajtje jetike për sigurinë e lëvizjes në atë rrugë do të kryhet për 30 vjet me radhë nga kompania e përzgjedhur për këtë punë, pas një procesi të gjatë studimi e konkurrimi të nisur në vitin 2010. Asnjë qorr dhe asnjë shurdh që nuk do ta shikojë dhe as ta dëgjojë të vërtetën e rrezikut ku është sot rruga, nëse sot dhe jo nesër nuk merren masat e parashikuara në kontratën përkatëse, nuk mund të na ndalojë ta mbrojmë Rrugën e Kombit dhe sigurinë e çdo njeriu që lëviz në të nga degjenerimi fizik drejt rrënimit përfundimtar të saj.

Rruga e Kombit iu ka kushtuar shumë shtrenjtë shqiptarëve dhe asnjë shqiptar me mend në kokë nuk mund të pranojë që ajo rrugë t’iu kushtojë edhe më shtrenjtë të gjithë taksapaguesve shqiptarë dhe vetë fëmijëve tanë më tutje, nëse sot, ne nuk bëjmë të vetmen gjë të duhur për të garantuar të ardhmen e saj.

Unë nuk jam i pagabueshëm dhe përpiqem të bëj gjithçka mundem, që më e mira të bëhet për këtë vend dhe për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, pa asnjë dallim. Nëse nuk kam bërë dot, nëse nuk kemi bërë dot më shumë, për t’ua shpjeguar më mirë qytetarëve të asaj zone se e vërteta e shkruar në kontratën e mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit është që çdokush prej tyre, nëse është përdorues i shpeshtë i asaj rruge, do të përfitojë nga një sistem pagesash të reduktuara.

Nëse kam dhe unë, kemi dhe ne, një pjesë sado të vogël përgjegjësie që gënjeshtrat e qëllimshme të zjarrnxitësve të kazanit politik dhe mediatik, apo ndotësve të ligj dhe të paditur të mjedisit të debatit publik në tërësi, kanë trazuar shpirtin dhe kanë ngatërruar fillin e arsyes së njerëzve të zakonshëm të asaj zone, atëherë u lutem ta pranojnë ndjesën time sot. Dhe me këtë rast dua që ta mësojnë edhe njëherë, të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi se në asnjë vendim apo veprim timin nuk ka kurrë tradhti të qëllimshme ndaj interesave të tyre, nuk ka kurrë indiferencë ndaj situatave të tyre, ndaj halleve të tyre, ndaj mundësive të tyre, shpeshherë të kufizuara, nuk ka kurrë asnjë kollajllëk, asnjë harresë ndaj ëndrrave, shpresave, nevojave dhe dhimbjes së tyre.

Cili është ai Kryeministër, apo udhëheqës i një vendi dhe popullit të tij që nuk do donte t’i kënaqte të gjithë dhe gjithmonë?

Cili është ai Kryeministër, apo i zgjedhur prej njerëzve të tij, për t’i përfaqësuar dhe për të vendosur për ta, që nuk do donte që gjithçka të ishte falas dhe që të gjithë të kishin më shumë sesa e lejojnë mundësitë, që dritat të ishin falas, që uji të ishte falas, që shërbimet të ishin falas, që rrogat të ishin të larta për të gjithë dhe që çdokush të jetojë shumë më mirë sesa jeton, pavarësisht a punon, apo nuk punon, apo as nuk do as të punojë?

Cili është ai Kryeministër që nuk do donte të mos fliste kurrë për vështirësitë, të mos merrej kurrë me reformat dhe me operacionet e vështira, por vetëm të zeronte taksat, të zeronte pagesat e shërbimeve dhe ta bënte vendin bahçe me lule në kohën e mandatit të tij?

Nuk ekziston një Kryeministër që nuk do t’i donte të gjitha këto. Por këto nuk janë mundësi të kësaj bote, motra dhe vëllezër!

Dhe kur Kryeministri zgjedh rrugën më të lehtë, për të ndenjur rehat në karrigen e tij, duke i shtyrë dhe mos i marrë kurrë vendimet e vështira për reformat, për operacionet dhe masat e duhura që e nesërmja të jetë e mirë për të gjithë, ai thjesht gënjen dhe tradhton njerëzit, sepse në këtë mënyrë, gjërat e mundura bëhen të pamundura, siç u bënë Shqipëri për çerekshekulli dhe e nesërmja e mundshme bëhet e pasnesërme e përjetshme, siç u bë edhe vetë arritja e Shqipërisë në lartësinë ku mund të ishte sot, nëse reformat tona shtetbërëse do të kishin nisur 25 vjet më parë dhe jo 4 vjet më parë.

Mund të ishte shumë më e lehtë për mua që të thosha, le të mos e vendosim pagesën e rrugës, punë e madhe, nuk kemi dhimbje koke, le të degradojë më tutje dhe pastaj vrafshin veten kur të mos jem më unë në karrige. Madje mund të thosha, e dini si është puna? Kjo kontratë që e nisi Saliu dhe e bitisën ministrat e LSI-së është një thikë pas shpinës suaj, por ju më keni mua dhe do ta heqim pagesën për inat të Saliut dhe për inat të LSI-së.

Me siguri askush nuk do më thoshte, po ti po na gënjen dhe je ti ai që po na e ngul thikën pas shpine, se po nuk nisëm ta mirëmbajmë sot, rruga do vazhdojë të na bjerë copa-copa, tuneli do na zërë brenda dhe ne do duhet të paguajmë shumë më tepër, po nuk filluam të paguajmë sot. Madje do kisha marrë dhe duartrokitje, ndoshta dhe vota më shumë akoma si shpëtimtar i popullit.

Unë nuk jam as lala Gjoni, as maçoku me çizme, që, sa të jem unë, t’ju them, “hani pini e këndoni”, “ku rafshi, mos u vrafshi”, siç ju thoshte lala kur ju futi nëpër piramida, apo kur hapi tunelin e Kalimashit me këngë e me valle dhe na e la arkën e shtetit si piramidë mbi kokë, ndërsa rrugën pa ura me këmbë. Sepse unë e di si shkon pastaj kjo punë dhe nuk mund të mbyll sytë, kur e shoh çfarë fature ju pret ju, njerëzit e zonës së Kukësit dhe fëmijët e Shqipërisë, të të gjithë Shqipërisë, disa vite më tutje, nëse rehatia ime në karrige fiton mbi detyrimin tim të parë, që të jem i vërtetë me ju dhe me Shqipërinë që duam.

Shqipëria që deshëm nuk u bë dot për çerekshekulli, ajo që fare mirë mund të ishte sot, se shumë nga ata që qeverisën nuk deshën telashe dhe u ranë punëve shkurt, duke detyruar popullin t’i binte gjatë dhe të mos arrinte dot atje ku mund të kishte arritur sot.

Shqipëria që duam nuk mund të sakrifikohet dhe një çerekshekulli tjetër, duke i rënë punëve shkurt me mendjen e lala Gjonit, për të ngrohur karrigen dhe për ta bërë edhe më të gjatë se saç është rrugën e realizimit të ambicieve dhe aspiratave tona legjitime për njëri-tjetrin, për fëmijët tanë dhe për këtë vend, të cilin shumëkush e do me fjalë, por kur vjen puna për ta dashur me vepra, apo me çka i takon të kontribuojë, e harron se është vendi i tij.

Jam i bindur se shumica dërrmuese e qytetarëve, të cilët ia dalin me punë dhe me sakrifica, e dinë shumë mirë se për çfarë flas dhe çfarë po mundohem të bëj çdo ditë, me mish e me shpirt. Të tjerët, nëse nuk e dinë, le ta mësojnë dhe nëse nuk e mësojnë dot sot, nesër do ta kuptojnë se këto përpjekje nuk janë për qejfin, rehatinë dhe interesin tim të ngushtë, i kam bërë lanet këto qysh se kam marrë këtë detyrë, por janë për ta, për fëmijët e Shqipërisë sot dhe janë për Shqipërinë që duam nesër”.