Kosovë: Hetim gjithëpërfshirës pas deportimit të shtetasve turq
Kërkesa e Kryeministrit Haradinaj për hetim gjithëpërfshirës në të gjitha institucionet e përfshira në operacionin e arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq u bë pas takimit të sotëm të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
“Kam kërkuar nga secili institucion, veç e veç, që me angazhim të plotë të qartësojnë përgjegjësitë institucionale, shmangiet e mundshme kushtetuese e ligjore dhe të ndërmarrin menjëherë hetime gjithëpërfshirëse, të hollësishme brenda institucioneve dhe ndërveprim institucional”, ka thënë kryeministri Haradinaj, në kërkesën e tij drejtuar institucioneve të lartpërmendura.
Të gjashtët punonjës të Institucionit Arsimor Gylistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë, u deportuan të enjten në një operacion ende të pasqaruar.
Të premten kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi. Të shtunën ai mblodhi Këshillin e Sigurisë pas të cilit tha se ka kërkuar hetim dhe raportim nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për këtë rast, ndërsa ritheksoi se nuk ka qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve.
“Kam kërkuar që të mos befasohet më Kosova as vendimmarrësit, e që të mos ndodhë më të përsëritet kurrë një praktikë ku ndodhin veprime të tilla pa informimin dhe pa lejen e vendimmarrësve, në këtë rast kryetarit të qeverisë dhe ka një dakordim të tillë nga të gjithë”, tha kryeministri Haradinaj.
Pak kohë pas tij presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se duhet të priten rezultatet e hetimeve dhe më pas të gjithë përgjegjësit do të japin llogari për veprimet e tyre. Zoti Thaçi tha se në bazë të informacioneve nga Agjencia e Zbulimit, deportimi i shtetasve turq ka të bëjë me veprime të paligjshme në Kosovë.
“Sipas AKI-së raste të njëjta të deportimit të shtetasve të huaj të cilët kanë qenë të përfshirë në aktivitete të cilat cenojnë sigurinë kombëtare ka pasur edhe në të kaluarën, kuptohet duke respektuar procedurat në fuqi. Por, detajet dhe procedurat duhet të sqarohen nga AKI dhe ministria e punëve të brendshme deri në fund dhe nëse ka pasur shkelje atëherë përgjegjësit duhet të japin llogari kushdo qofshin ata”, tha presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi u shpreh i zhgënjyer me dështimin e institucioneve në mbrojtjen e shtetasve të huaj që jetojnë në Kosovë, megjithatë, sipas tij, nuk duhet të paragjykohen veprimet e institucioneve para se të përmbyllen hetimet.
“Derisa të gjitha hetimet të mos përfundojnë ne duhet të kemi kujdes se si sillemi në raport me organet të cilat janë përgjegjëse për sigurinë tonë kombëtare”, tha presideni Thaçi
Vija ndarëse në mes çështjeve që janë trajtim i sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive njerëzore është problematikë e përhershme edhe në shtetet më demokratike të botës, Kosova nuk mund të paraqet përjashtim në këtë aspekt sepse aktivitetet terroriste dhe të spiunazhit në vendin tonë si në çdo vend tjetër demokratik bëhet në format më të sofistikuara”.
Kosova është një nga vendet e rajonit që i është nënshtruar trysnisë për arrestimin dhe dorëzimin e “gulenistëve” të kërkuar nga Ankaraja. Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit. Gulen akuzohet nga qeveria Turke se qëndronte ai prapa grushtit të shtetit të korrikut të vitit 2016.
Fethullah Gulen jeton në Shtetet e Bashkuara dhe i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Fondacioni i tij FETÖ drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin Perëndimor, nga ku 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi.