Basha mbledh aleatët: Zgjidhja arrihet me dialog
Kreu i opozitës Lulzim Basha, ka dalë për herë të dyte për mediat pas protestës në Rrugën e Kombit. Basha dënoi dhunën e të policisë ndaj protestuesve.
Në selinë blu janë paraqitur për një takim urgjent, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, kreu i grupit parlamentar Petrit Vasili dhe deputetja Klajda Gjosha. Ndërkohë i pranishëm ishte edhe kreu i PR, Fatmir Mediu e deputetë të tjerë të PD.
Pas përfundimit të këtij takimi, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat iu drejtua kryeministrit Edi Rama duke ripërsëritur kërkesën për heqjen e taksës 5 euro, pasi është një tarifë korruptive.
“Dënojmë dhunën barbare ndaj protestuesve. Të vihen para drejtësisë përgjegjësit. Ta vazhdojmë protestën e tyre me çdo mjet demokratik. Dërgimi i forcave speciale është provokim frikacak. T’i largojë menjëherë ata që kanë rrethuar Kukësin. Policia duhet të luftojë kriminelet dhe jo popullin. Policet të refuzojnë urdhrat për të terrorizuar popullin”, tha Basha.
Ai tha se përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës evitohet me një mënyrë. “Zgjidhja arrihet me dialog. Qytetaret nuk do të mund të detyrohen të paguajnë një taksë korruptive”, u shpreh kreu i opozitës.
Lulzim Basha u bëri thirrje shqiptarëve të mos bien pre e përgjërimeve të personit që sipas tij i zhyti në varfëri. Në emër të opozitës së bashkuar, kreu i PD i bëri thirrje kreut të qeverisë që të pezulloje menjëherë zbatimin e tarifës për kalimin në Rrugën e Kombit.
“Ne ju bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve, të mos gënjehen nga mashtrimet dhe përgjërimet e shtirura të një kryeministri manipulator dhe të paskrupullt, që i ka gënjyer, varfëruar dhe zhytur në papunësi, drogë dhe në krim çdo ditë, këto katër vjet, por të kërkojnë të drejtat e tyre dhe një qeverisje të mirë dhe të denjë”, theksoi Basha.
Sipas Bashës ka një prani të shtuar të forcave të policisë në Kukës, gjë që është e patolerueshme dhe kryeministri Rama nuk duhet të kultivojë dhunën ndaj popullit të vet.