Aleksandar Vuçiç: Jam kundër “konfliktit të ngrirë”
Mbijetesa dhe mbetja e “konfliktit të ngrirë” në Kosovë është një opsion shumë më realist dhe qëndrim i shumicës së opinionit në Serbi, por unë jam kundër një vendimi të tillë, sepse ajo na sjellë në një situatë më të vështirë se sa të tjerër, deklaroi sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Ai tha se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës do të vazhdojë por mënyra dhe formati i këtij dialogu do të varet nga rezultatet e të dyja palëve.
Vuçiç në takimin e dialogut të brendshëm rreth Kosovës me titull “Zgjidhja e çështjes së Kosovës – mundësi apo kërcënim për perspektivën evropiane të Serbisë” në Beograd, tha se tani edhe më fuqishëm do të mbështesë, se shqyrtimi, gjetja dhe marrja e vendimeve të rëndësishme dhe zgjidhja e problemit të Kosovës është e një rëndësi të madhe për paqen.
“Mbijetesa dhe mbetja e ‘konfliktit të ngrirë’ në Kosovë është një mundësi shumë më reale dhe në procesin e dialogut të brendshëm. Shumica e njerëzve që morën pjesë në këtë dialog ishin në favor të mbajtjes së ‘konfliktit të ngrirë’. Megjithatë, ky është një qëndrim i shumicës politike dhe jo-politike. Unë jam kundër një zgjidhjeje të tillë jo sepse nuk e dua Serbinë apo nuk i kuptoj gjërat e lëvizjes botërore”, ka thënë Vuçiç.
Ai shtoi se sot pa u hamendur duhet të thotë duke patur parasysh burimet ekonomike, demografike, sociale, demokratike dhe gjitha të tjerat se “gjithsesi nga koha që ka kaluar nuk fitojmë asgjë dhe se do të jemi në një situatë më të vështirë se të tjerët”.
Megjithatë, ai theksoi se lidershipi shtetëror i Serbisë nuk është i gatshëm të jetë pjesëmarrësi i vetëm në kompromis dhe dialog.
“Ne nuk jemi të gatshëm të jemi të vetmit që duhet të japin dhe të ofrojnë çdo gjë, dhe se pala tjetër të mos ofrojë asgjë dhe se ata midis nesh të mos shohin se njëra anë është e gatshme për kompromis dhe tjetra jo”, tha Vuçiç.
Vuçiç theksoi rëndësinë se çdo vendim dhe pas “momentit të vështirë për Serbinë, ku është treguar se njëra palë dëshiron dhunë dhe se objektivi i tyre kryesor është marrja esenciale e veriut të Kosovës”, të sillet me kokë të ftohtë.
Rreth vazhdimit të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, presidenti i Serbisë tha se bisedimet do të vazhdojnë, por nuk e di se në çfarë mënyre, në çfarë formati, duke pyetur se si të ketë besim pas gjithë asaj që ka ndodhur.
“Çdo gjë në të ardhmen do të bazohet në rezultatet e përgjithshme në të cilat kemi marrë pjesë. Presim të shohim në letër se çfarë është bërë nga ajo që është rënë dakord dhe kur të përmbushen këto ne do të jemi gati për të vazhduar bisedimet”, tha Vuçiç.
Ai shprehu bindjen se edhe gjatë dialogut të brendshëm për Kosovën do të ketë shumëçka që do të kontribuojë në krijimin e një platforme për këtë çështje në të ardhmen.
Koordinatorja e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, Natasha Dragojloviç theksoi se inkurajon presidentin serb që të nënshkruajë platformën si do që të jetë ajo.
“Të gjitha vendet e kanë, vetëm ne nuk e kemi dhe vetëm ne sillemi gjithmonë njëjtë – një herë nuk duam, pastaj duam dhe gjithnjë e më shumë po humbim njerëz dhe mundësi. Presim të ndryshojnë rrethanat, qeveritë”, ka thënë Dragojloviç.
Dragojloviç tha se dialogu për Kosovën duhet të vazhdojë dhe se në këtë dialog duhet të marrin pjesë të gjithë.
Kryetarja e Fondit të Beogradit për Përsosmëri Politike, Sonja Liht përgëzoi fillimin e dialogut të brendshëm për Kosovën, pavarësisht faktit se ai fillimisht dukej më shumë si një monolog, se një dialog, pasi ka çuar në hapjen e “çështjes së mbyllur gjatë kohë”.
“Më në fund, përsëri filloi biseda në lidhje me marrëdhëniet e shoqërisë serbe ndaj Kosovës. Kjo bisedë për një kohë të gjatë nuk është mbajtur, kohë të gjatë gjërat janë fshehur nën qilim dhe është shtyrë mendimi dhe dialogu rreth zgjidhjes së nyjes së Kosovës. E gjithë kjo ishte groposur në një grup të vogël dhe kjo ka çuar dhe vashdon të çojë drejt rrezikimit të mëtejshëm të shëndetit të shoqërisë”, tha Liht.
Ajo ka shtuar se pajtohet se dialogu duhet të vazhdojë duke theksuar se ai duhet të orientohet drejt një zgjidhjeje paqësore dhe kjo është e pamundur pa besimin e ndërsjellë.
“Në duart tona, të qytetarëve dhe presidentit është më shumë se sa mendojmë. Jam e bindur se nëse ne nuk e shfrytëzojmë këtë moment, historia do të na kujtojë dhe regjistrojë si humbës”, tha Liht.
Opinion tjetër pati Verka Jovanoviç nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, e cila tha se rrjedha aktuale e dialogut të brendshëm konfirmon vlerësimin se arritja e një konsensusi do të jetë e vështirë dhe se zgjidhja paqësore është vënë në pikëpyetje.
Ivan Gjuriç nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, foli për domosdoshmërinë e dialogut të bazuar në fakte dhe jo në politika ditore dhe mitet disa dekadashe duke theksuar se hapi i parë duhet të jetë që të flitet e vërteta për Kosovën, apo se Serbia e ka humbur të drejtën e saj në Kosovë për shkak të mënyrës se si e kishte trajtuar popullsinë shqiptare.
Në takimin e sotëm pati edhe deklarata rreth situatës së komunitetit serb në Kosovë si dhe çështjen e Kosovës në kontekstin e integrimit evropian të Serbisë./ AA