AktualitetEkonomiTë fundit

Societe Generale, kush do të jetë blerësi i degëve në Shqipëri, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi?

 

Vjen lajmi se banka franceze Societe Generale e (SG) po tërheq biznesin e saj nga Evropa Qendrore dhe Lindore, kanë njoftuar sot mediat bullgare.

Societe Generale vendosi të fokusohet në pjesë të tjera të biznesit dhe të shesë aksionet në rajonet e lartpërmendura.

Media Capital.bg njoftoi për tërheqjen, duke thënë se SG nuk është e kënaqur me pozitën e tyre në këto tregje, pasi ata nuk janë udhëheqës në rajon. Blerësi i raportuar i biznesit të Societe Generale në Bullgari është banka hungareze OTP, e cila nuk pranoi të jepte koment për marrëveshjen. Një blerës tjetër potencial është fondi amerikan Apollo Global, i cili gjithashtu refuzoi të konfirmojë ose mohojë zërat.

Dega bullgare e SG do të shitet së bashku me degët në 5 vende të tjera, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Moldavia. Sipas artikullit të Capital, këto tregje janë të mbingarkuara dhe jo tërheqëse në këtë moment, prandaj SG është duke u larguar prej tyre, veçanërisht pasi bankat nuk janë as në top 3 të këtyre vendeve.

 

Në Shqipëri, Societe Generale është banka e pestë më e madhe në vend, me një total aktivesh prej 83 miliardë lekësh, ose 5.8% e totalit të aktiveve në sistem, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Banka ka 8.3% të stokut të kredive dhe 6% të depozitave.

Banka Societe hyri në Shqipëri përmes blerjes së aksioneve të Bankës Popullore, në vitin 2007.

“Monitor” ka mësuar se edhe në Shqipëri ka shfaqur interes për blerjen e Societe Generale banka hungareze OTP. Kjo e fundit ka shprehur dhe më parë interes për Shqipërinë, kur konkurroi që të blinte Bankën e Kursimeve në fund të vitit 2003, që pas një gare të ashpër u mor në momentin e fundit nga austriakët e Raiffeisen.

Një tjetër bankë e interesuar mësohet se është austriakja Erste Bank.

Sistemi bankar ka hyrë në një fazë të ethshme shit-blerjesh. Banka Kombëtare e Greqisë u ble së fundmi nga banka Amerikane e Investimeve për 25 milionë euro. Tirana Bank ka dalë tashmë në shitje, ndërsa dhe banka të tjera të vogla janë në fazë tërheqjeje nga tregu vendas.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com