AktualitetPolitikëTë fundit

MEPJ: Reagimi i Moskës nuk përbën surprizë për ne

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas dëbimit të dy diplomatëve shqiptarë nga Rusia si përgjigje ndaj dëbimit të dy diplomatëve rusë në Tiranë.

MEPJ thotë se reagimi i Moskës nuk përbën surprizë, pasi pritej.  Sipas ministrisë, pavarësisht dëbimit të diplomatëve, kanalet diplomatike mbeten të hapura në funksion të marrëdhënieve konstruktive dypalëshe, paqes dhe sigurisë.

“Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Moskë u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse. Gjatë takimit, Ambasadorit i’u komunikua shpallja “non – grata” e dy diplomatëve shqiptarë të akredituar në Federatën Ruse.  Reagimi i Moskës nuk përbën surprizë për ne. Vendimi i marrë prej nesh pak ditë më parë në lidhje me dy diplomatët Rusë, i bashkërenduar me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë ishte proporcional ndaj sulmit kimik në Salisbury. Theksojmë se kanalet tona diplomatike mbeten të hapura në funksion të marrëdhënieve konstruktive dypalëshe, paqes dhe sigurisë”- thuhet në deklaratën e MEPJ.

Burime diplomatike bënë të ditur se diplomatët që do të largohen nga Rusia janë Albert Jerasi, që mban detyrën e zv/ambasadorit dhe Arben Doçi, këshilltar pranë Ambasadës shqiptare, të cilët r kanë afat që të largohen nga Moska deri në datë 5 prill.

Ministria e Jashtme ruse thirri sot ambasadorët e vendeve perëndimore që kanë dëbuar diplomatë rusë, për t’u dorëzuar atyre nota proteste dhe për t’i informuar mbi kundërpërgjigjen e Rusisë.

Vendet e njoftuara sot për dëbimet ishin 23, mes tyre edhe Shqipëria.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ka njoftuar ambasadorët e shumicës së vendeve që urdhëruan dëbimin e diplomatëve rusë se një numër i barabartë diplomatësh të tyre janë shpallur persona non grata.

Ministria e Jashtme thirri krerët e misioneve diplomatike nga Australia, Shqipëria, Gjermania, Danimarka, Irlanda, Spanja, Italia, Kanadaja, Letonia, Lituania, Moldavia, Holanda, Norvegjia, Polonia, Rumania, Ukraina, Finlanda, Franca, Kroacia, Republika Çeke, Suedia dhe Estonia.

Ministria e Jashtme e Rusisë deklaron se ka njoftuar ambasadorët e vendeve që urdhëruan dëbimin e diplomatëve rusë se një numër i barabartë diplomatësh të tyre janë shpallur persona ‘non grata’.

Kremlini ka përdorur të njëjtën proçedurë për largimin e diplomatëve, ashtu sikundër u veprua edhe nga Tirana zyrtare.

Në datë 26 mars, Shqipëria shpalli ‘non grata’ dy diplomatë rusë pas përplasjes mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë. Dy diplomatët që u dëbuan nga Shqipëria janë Vladislav Filipov, atashe ushtarak dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i ambasadës së Rusisë në Tiranë.