Kryeministri Haradinaj, shkarkon ministrin e Punëve të Brendshme Sefaj dhe drejtorin e AKI-së Gashi
Media ka siguruar dokumentin ku Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një shkrese zyrtare dërguar ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefajt, ka kërkuar dorëheqjen e tij dhe lirimin e menjëhershme nga përgjegjësia.
Haradinaj thekson në letër se veprimet e së enjtes, me arrestimin dhe depërtimin e 5 shtetasve turq, janë tërësisht të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat dhe parimet e tyre, si popull dhe si shtet.
“Duke marrë parasysh se, si Kryeministër i Republikës nuk kam qenë paraprakisht apo me kohë i informuar nga Ministria që ju drejtoni, kërkoj nga ju lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e shkarkimit.
Aleanca Kosova e Re pritet së shpejti të mbajë një mbledhje urgjente, pas njoftimit në medie për shkarkimin e ministrit e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, që vjen nga radhët e kësaj partie. Për këtë ka reaguar nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtir.
“Kjo është e turpshme dhe së shpejti do të marrim një vendim”, tha Bahtiri.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar të ekzekutojë shkarkime në qeverinë e tij pas operacionit të djeshëm të depërtimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi. Përveç shefit të AKI-së, Driton Gashi është paralajmëruar të shkarkohet edhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.
Kjo vjen si pasojë ku gjatë ditës së djeshme u arrestuan dhe depërtuan gjashtë shtetas turq që punonin në kolegjin turk “Mehmet Akif”. Shkollë që bën pjesë në rrjetin e shkollave turke Fetullah Gulen, i cili nga Turqia konsiderohet si terrorist.