Ambasadori Lu: Ndjej neveri, zyrtarë të votuar i shitën këto vajza të pafajshme në skllavëri
Në konferencën rajonale kundër trafikimit të qenieve njerëzoreqë u mbajt sot në Tiranë ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan Donald Lu.
Në fjalën e mbajtur ambasadori Lu tha se trafikimi i qenieve njerëzore nuk zgjidhet pa bashkëpunim intensiv rajonal. Ambasadori deklaroi se shumë vajza janë shitur, duke kërkuar dënimin e trafikantëve.
“Disa prej rasteve më prekëse kanë qenë gjatë vizitave në qendrat e strehimit të OJQ, kam takuar vajza të reja që janë kthyer nga trafikimi. Ky është një krim i paimagjinueshëm dhe është kundër vlerave të njerëzve që jetojnë në Shqipëri e Ballkanin Perëndimor. Ndjej neveri që disa prej drejtuesve të votuar të këtij vendi dhe nga vende të tjera në rajon kanë qenë burra që i shitën këto vajza të pafajshme në skllavëri. Ata duhet të arrestohen dhe të dënohen më gjithë fuqinë e ligjit”, tha krye diplomati në konferencën rajonale kundër trafikut të qenieve njerëzore.
Ambasadori Donald Lu i bëri një thirrje të fortë qeverisë duke i kërkuar të dorëzojë me urgjencë fondet për gratë dhe fëmijët që bien viktima të trafikimit.
Ambasadori shtoi se qeveritë duhet të ofrojnë fonde për gratë dhe fëmijët e trafikuar.“Qëllimi afatgjatë nuk është vetëm vendosja e viktimave në strehë, por që ato të kenë siguri dhe vetëbesim. U bëjmë thirrje qeverive të rajonit, por veçanërisht Shqipërisë, të ofrojnë fonde për strehimin e grave dhe fëmijëve të trafikuar. Këtu ka nevojë që qeveria jo vetëm të angazhohet politikisht për të siguruar financim, por të dorëzojë fonde pa vonesë për gratë dhe fëmijëve që janë viktima të trafikut”, tha ai.
Lu tha se do të krijohet një rrjet rajonal bashkëpunimi kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ku qëllimi është jo vetëm strehimi i këtyre ‘viktimave’, por edhe që ato të kenë siguri dhe vetëbesim.