“SANCAS” në Shqipëri, monitorim ajror kunër drogës
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka pritur një delegacion të lartë të policisë italiane, në kuadër të mbështetjes për monitorimin ajror të territorit.
Delegacioni Italian përbëj nga Policia kriminale e Guardia di Finanza, projekti “SANCAS” dhe Qendrës së Ekselencës “BENECON”, në kuadër të mbështetjes për Policinë shqiptare, për monitorimin ajror të territorit, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Drejtori i Përgjithshëm Veliu, shprehu konsideratën dhe falënderimet e tij për projektin “Mbështetje për Strategjinë Antikanabis – Mbikëqyrja Ajrore” . Ai theksoi se Policia e Shtetit është e angazhuar që rezultatet e arritura gjatë vitit 2017 kundër fenomenit të kultivimit kanabisit jo vetëm të ruhen, por ky fenomen të mos ekzistojë më. Ai nënvizoi se puna për parandalimin e këtij fenomeni ka më shumë se dy muaj që ka filluar.
“Në eksperiencën e fituar në kontrollin e territorit dhe luftës ndaj kultivuesve dhe trafikuesve të kanabisit, gjatë vitit 2017; Në një analizë të plotë për të gjithë periudhën paraardhëse, mënyrat e kultivimit, rrugët e trafikimit të kanabisit dhe duke bashkëpunuar do të arrijmë në hartimin e një strategjie efikase policore por jo vetëm, si dhe në rritjen e orëve të fluturimeve për këtë vit, ku është llogaritur të jenë 30% më shumë se në vitin 2017”, është shprehur Veliu.
Veliu tha se “Strategjia antikanabis funksionon vetëm atëherë kur krijohet një frymë bashkëpunimi dhe marrje përgjegjësish nga të gjithë aktorët dhe institucionet përgjegjëse. Policia e Shtetit, në këtë vit që ne po flasim, hartoi një plan të detajuar për kontrollin e territorit, “Mbi masat që duhen marrë, për evidentimin dhe goditjen e fenomenit të sigurimit të farave, kultivimit të fidanëve dhe bimëve narkotike Cannabis Sativa, në sera diellore, tunele të braktisura, ish-rezerva shtetërore dhe çdo ambient tjetër të mundshëm, për përdorim nga grupet kriminale”.
Ky projekt i jep një rëndësi të veçantë planifikimit të kapaciteteve njerëzore, teknologjisë dhe logjistikës policore në kontrollin e territorit. “Është e rëndësishme dhe ne tashmë e kemi vendosur standardin e bashkëpunimit nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave dhe informacionit me policinë italiane, ndaj mbështetja që na jep ky projekt, jam i sigurt se do të na çojë në rezultate mbresëlënëse. Komponent shumë me vlerë për ne, është mbështetja që po jep ky projekt në fushën e teknologjisë, duke orientuar dhe mbështetur Policinë e Shtetit në zgjerimin e databazës së saj.
Ngritja e laboratorit kërkimor është një bazë e fuqishme për ne, por ajo që është me interes në këtë projekt, është inkurajimi i qytetarëve për të raportuar përmes teknologjisë, për veprat penale që kanë të bëjnë me drogën dhe sidomos përmirësimi i aplikacionit të Komisariatit Dixhital”, tha Veliaj.
Policia shqiptare ka tashmë hartën dixhitale të sipërfaqeve të tokave, pyjeve dhe kullotave, ku janë kultivuar bimë narkotike.
Forcimi i njësive të specializuara për luftën kundër drogës nëpërmjet trajnimit, vlerësimit të informacionit dhe pajisjes me mjetet e nevojshme, është finalizimi i gjithë punës së këtij projekti.
Pjesa më e rëndësishme e këtij projekti është ngritja e ekipeve të përbashkëta hetimore për hetimin e trafikantëve, me Policinë italiane dhe ato europiane, për të bërë të mundur finalizimin e çështjeve duke identifikuar asetet kriminale dhe sekuestrimin e tyre.
Drejtori i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane, Gjeneral Brigate CC Paolo D’Ambolo, duke folur për bashkëpunimin e përbashkët, theksoi se “Jemi të bindur për rezultatet pozitive të këtij projekti, sepse para së gjithash ne njohim kolegët, miqtë tanë shqiptarë të cilët janë të aftë dhe kanë dhënë rezultate përsa i përket luftës ndaj kanabisit”.