AktualitetPolitikëTë fundit

Kotzias në Tiranë, vijon dialogu mes dy vendeve

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, mbriti sot  në  Shqipërië, për një takim me homologun e tij, ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

Kjo vizitë vjen rreth dy javë nga dhënia e autorizimit të presidenti Ilir Meta, për lëshimin e plotfuqishmërisë për grupin negociator.

Takimi mes dy ministrave vazhdon ende pa praninë e mediave, por mësohet se në bisedimet  kanë në fokus diskutimet paraprake në prag të fillimit të negociatave zyrtare mes dy vendeve për “Projektmarrëveshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”.

Ministri Bushati në një prononcim për mediat para takimit, tha se takimi me homologun grek është në vijim të mekanizmit të dialogut që kanë ngritur dy vendet.

Ai tha se ka firmosur plotfuqishmërinë për ekipin negociator dhe do të diskutohet për datat e takimeve mes delegacioneve të Shqipërisë dhe Greqisë.

Ndërsa janë mbajtur disa takime dhe raunde bisedimesh, që nga muaji nëntor i vitit të kaluar mes zyrtarëve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Jashtme të Greqisë.

Diskutimet kanë qenë mbi çështjet e hapura mes dy vendeve, me fokus arritjen e marrëveshjes për kufizimin e zonave detare dhe shfuqizimin e ligjit të luftës nga Greqia.

Ndërkohë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht  vizita e kryeministrit grek, Alexis Tsipras, në Tiranë, vizitë në të cilën kryeministri Rama ka deklaruara se do të firmoset një dokument i ri i i miqësisë dhe bashkëpunimit strategjik me fqinjin tonë jugor.

Palët janë optimiste për mbylljen e të gjitha çështjeve që kanë ndarë vendet prej vitesh. Vizita e  Kotzias në Tiranë është  një vizitë disaorëshe, pasi destinacioni i tij është Vjena, ku do të diskutohet me palën maqedonase për emrin.