Tramp, kam marrë mesazh nga Xi për takimin me Kim Jong Un
Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi sot në Twitter se kishte marrë një mesazh nga Presidenti i Kinës, Xi Jingping, në lidhje me vizitën misterioze të diktatorit koreano-verior, Kim Jong Un, i cili ndodhej në Pekin nga dita e dielë dhe deri të mëkurë.
Presidenti shprehu optimizëm se “Kim Jong Un do të zgjedhë të bëjë më të mirën për popullin e tij dhe për njerëzimin. E mirëpres takimin tonë”.
Edhe Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se qeveria kineze kishte telefonuar për t’i përditësuar rreth vizitës së Kim-it. Përditësimi përfshinte një “mesazh personal” të dërguar nga Xi për presidentin Trump, sipas Shtëpisë së Bardhë, edhe pse nuk dhanë detaje të mëtejshme.
“Ne e shohim vizitën e Kim-it në Kinë si dëshmi se fushata jonë me presion maksimal po krijon atmosferën e duhur për dialog me Korenë e Veriut”, tha Sekretarja e Shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Sanders.
Vizita e Diktatori të Koresë së Veriut nuk u njoftua në publik deri ditën që ndodhej në Kinë.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar në fillim të këtij muaji se Presidenti Trump e kishte pranuar ftesën e udhëheqësit koreano-verior për t’u takuar. Trump e pranoi ftesën nga Kim Jong Un pasi iu raportua verbalisht në Uashington nga një delegacion i Koresë së Jugut.
Nëse ky takim ndodh, do të ishte hera e parë që një President amerikan takohet me një udhëheqës të Koresë së Veriut.