Tirana shkëputet me 7 pikë në krye të renditjes
Të mërkurën pasdreke është luajtur takimi i prapambetur i javës së 22-të të Kategorisë së Parë dhe Tirana ka korrur një fitore të thellë, 5-1 ndaj Apolonisë. Në fakt, takimi i vlefshëm për grupin B të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ka patur vetëm skuadër në fushë, pasi bardheblutë do ta dominojnë atë nga fillimi deri në fund, pa e vënë aspak në diskutim fitoren.
Pjesa e parë e sfidës së luajtur në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet dhe i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, është mbyllur me epërsinë dygolëshe të Tiranës, me autorë Grecën dhe Muçin.
Të dy këta lojtarë e gjetën edhe një herë tjetër rrugën e rrjetës në pjesën e dytë, ndërsa emrin në listën e shënuesve e shënoi edhe kapiteni Karabeci. Golin e ngushëllimit për fierakët e realizoi Dimo. Me këtë fitore, Tirana shkëputet me 7 pikë në krye të renditjes nga ndjekësja më e afërt, Bylisi.