AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Arsimi profesional, mundëson punësimin

Kryeministri Edi Rama, foli për arsimimin profesional dhe rëndësinë që ka ai për ndërmarrjet dhe zhvillimin e vendit. Z Rama tha se arsimimi profesional është garanci për zhvillimin ekonomik kombëtar e familjar, si dhe një motor punësimi. Rama tha se janë në proces 8 shkolla të arsimi profesional.

Synimi i qeverisë, tha kryeministri Rama, është të krijohet një shkollë profesionale në çdo bashki.

Duke folur në aktivitetin “Arsimi profesional, garanci për punësim” Rama komentoi dhe shprehjen e tij “punë ka, po s’ka profesionistë”, ku tha se është dramatike e vërteta e shumë ndërmarrjeve sot që kanë punë, po nuk arrijnë dot të gjejnë njerëzit e duhur për atë punë.

Ai tha se të gjithë ata që kanë dalë nga ndihma ekonomike dhe duan të punësohen do të trajnohen për aq kohë sa të jetë e nevojshme dhe do të paguhen.

“E kam përsëritur shpesh dhe nuk do lodhem se përsërituri se, që nga “Zogu i Zi” deri kur shkon në Durrës, në çdo derë që të futesh, në çdo ndërmarrje në dy anët e rrugës do të gjesh punë. Por nga ana tjetër do të gjesh sipërmarrës shumë të shqetësuar për faktin, se për ato vende pune që kanë në dispozicion ende nuk arrijnë dot të gjejnë njerëzit e duhur, me aftësinë përkatëse të atij vendi pune. Ashtu sikundër, ajo që ne po shohim aktualisht në përpjekjen e madhe që po bëjmë për t’i çuar në punë, ata të cilët kanë dalë nga ndihma ekonomike, është se nuk kanë shpeshherë asnjë kualifikim, asnjë aftësi të dedikuar për një punë. Për këtë arsye, ajo që ne kemi vendosur, është që t’i japim 55 mijë lekë në dorë, më shumë sesa shpeshherë ndihma ekonomike që marrin dhe një shifër e barabartë me mesataren e ndihmës ekonomike, për t’u trajnuar 1 muaj, 2 e 3 muaj, sa të jetë nevoja dhe për t’u punësuar. Thënë këto të gjitha, këtu jemi në një situatë tjetër, sepse ju sot mbaroni një pjesë të rëndësishme të rrugës tuaj shumë të gjatë, që është përgatitja për punë dhe dilni nga shkolla me një aftësi të spikatur për punë, në një sektor ku tregu ka nevoja të mëdha, nevoja që do të vijnë duke u zgjeruar.”-u shpreh Rama.

Në takimin “Arsimi profesional, garanci për punësim”, Rama vuri në dukje se ka qëllimin e padiskutueshëm që deri në fund të këtij 4 vjeçari të kemi një shkollë të arsimit profesional në çdo bashki të vendit. “Të paktën një. Dhe nga ana tjetër të kemi sa më shumë nga ato shkolla që të jenë të binjakëzuara”, tha Rama.

“E vërteta e shumë ndërmarrjeve sot është që kanë punë, po nuk arrijnë dot të gjejnë njerëzit e duhur për atë punë, që i kanë aftësitë ta bëjnë atë punë”, tha Rama, duke prekur edhe çështjen e shumëpërfolur të reformimit të skemës së ndihmës ekonomike.

“Përpjekja e madhe që po bëjmë për të çuar në punë ata që kanë dalë nga ndihma ekonomike është se nuk kanë shpesh herë asnjë aftësi. 25.300 studentë në arsimin profesional dhe janë afërsisht 20% e totalit, por janë ende pak në krahasim me çfarë duhet të jenë për t’iu përgjigjur tregut të punës”, tha Rama.